Merkel-Trump, polet e kundërta me interesa të përbashkëta
Kancelarja gjermane Angela Merkel niset për në Uashington këtë të hënë, për të takuar për herë të parë presidentin amerikan Donald Trump.
Përballja mes fizikantes dhe politikanes veterane, e shquar për komentet e saj të përmbajtura dhe stilin e rezervuar, si dhe miliarderit të pasurive të paluajtshme, “cicërimat” spontane dhe sjellja aspak diplomatike të të cilit kanë tronditur politikën amerikane, mund të prodhojnë një dinamikë interesante.
Megjithatë, pavarësisht dallimeve mes stileve të tyre, shpresat janë të larta që udhëheqësja më e fuqishme e Europës do të mundet të përdorë logjikën dhe eksperiencën e saj për të ulur disi tensionet që janë ngritur ndërkombëtarisht gjatë javëve të para të administratës së Trumpit.
Edhe pse kancelarja ka folur në telefon me Trumpin, takimi kokë më kokë i së martës me presidentin e ri amerikan do t’i japë asaj një mundësi të mirë për të lexuar thirrjet e tij dhe për të kuptuar se në veshin e kujt shkojnë ato, thotë Sylke Tempel, një ekspert i Këshillit gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme.
“Ju mund t’i kuptoni gjërat vetëm kur jeni vet të pranishëm, e kjo është një situatë ku ajo është veçanërisht e përshtatshme, pasi Merkel i mbikëqyr gjërat”, thotë Tempel.
Në 12 vitet e saj si kancelare, Merkel ka punuar shumë mirë me të dy ish-presidentët George W. Bush dhe Barack Obama, ndërsa ka treguar gjithashtu se ajo nuk mund të lihet mënjanë nga udhëheqës, të cilët sipas asaj që thotë Tempel, përdorin taktika “macho” me të.
“Putin është përpjekur ta bëjë këtë gjë me të. Erdogan gjithashtu, ndërsa ka edhe shumë pak të tjerë që janë munduar”, thotë Tempel. “Ajo ka një durim të jashtëzakonshëm, një qetësi të brendshme dhe vetëbesim të lartë, por edhe personalitetin e duhur që mund ta bëjë atë të thotë se ‘ka parë karaktere macho të vijnë e të ikin, sikurse edhe burra që kanë bërë shumë gabime’”.
Veç krijimit të një marrëdhënieje me Trumpin dhe kuptimit në lexim të parë të dinamikave të reja të Shtëpisë së Bardhë, ka edhe një sërë çështjesh të tjera që Merkel pritet të adresojë.
Me prirjet ekonomike të Trumpit të tipit “Amerika është e para”, me pikëpyetjet që ka ngritur ndaj një sërë marrëveshjesh ekonomike shumëpalëshe tregtare dhe miratimin entuziast të vendimit të Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian, objektivi parësor i Merkelit pritet të jetë përshtypja që do t’i lërë pikëpamja e saj te presidenti amerikan se, një Bashkim Europian i fuqishëm është gjithashtu në interesin ekonomik dhe strategjik të Uashingtonit.
Pikërisht duke aluduar këtë, ajo i tha Parlamentit gjerman “Bundestag” gjatë së enjtes se, ajo planifikon të theksojë faktin që “edhe nëse në pjesë të ndryshme të botës shihen sjellje proteksioniste dhe nacionaliste në rritje, Europa nuk mundet të izolohet, të nënshtrohet apo të tërhiqet”.
Ajo ka marrë me vete një delegacion biznesmenësh dhe tregtarësh, që raportohet të përfshijë edhe krerët e “BMË”-së dhe “Siemens”-it, kompani këto që së bashku punësojnë rreth 120 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara, si në fabrikat e tyre, ashtu dhe në bizneset që kanë lidhje me to.
Trump ka bërë të zëshme edhe dallime të tjera me Merkelin, veçanërisht gjatë fushatës së tij vitin e kaluar, kur ai e quajti vendimin e saj të vitit 2015 për të lejuar hyrjen e mbi 890 mijë azilkërkuesve në Gjermani si një “fatkeqësi” dhe tha se “Hillary Clinton donte të bëhej Angela Merkeli i Shteteve të Bashkuara”.
Trump është shprehur publikisht se NATO është një organizatë e vjetëruar, e ka nxitur vendet europiane që t’u përmbahen angazhimeve për të shpenzuar të paktën 2 për qind të PBB-së në fushën e mbrojtjes, edhe pse zv.presidenti amerikan Mike Pence siguroi europianët në Mynih muajin e kaluar se, angazhimi i Amerikës ndaj aleancës është “i palëkundur”.
Trump ka shkaktuar shqetësime mes europianëve edhe për çështje të tjera, përfshi këtu qasjen e tij disi më miqësore ndaj Rusisë dhe pozicionin e mbajtur përkundër ndryshimeve klimatike.
Në disa deklarata specifikisht për Gjermaninë, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Tregtinë, Peter Navarro tha muajin e kaluar se ky vendi po përdorte “nënvlerësimin e rëndë” të euroës për të “shfrytëzuar” Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, ndërsa javën e kaluar veçoi deficitin amerikan me Gjermaninë si një nga çështjet tregtare “më të vështira” me të cilat përballet Uashingtoni.
Ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schauble e përqeshi idenë se Gjermania po përdorte manipulimin e monedhës europiane për të rritur fuqishëm eksportet, duke i thënë një grupi reporterësh të huaj në Berlin se suficiti tregtar i faturohej “konkurrueshmërisë së industrisë gjermane”, apo e thënë me fjalë të tjera: Gjermania prodhon produkte që amerikanët “vdesin” t’i blejnë.
Pavarësisht dallimeve, Merkel tha përpara Parlamentit se do të theksojë sesa shumë të përbashkëta kanë Shtetet e Bashkuara dhe Europa.
“Jam thellësisht e bindur se partneriteti transatlantik i bazuar mbi vlerat e përbashkëta është tërësisht në interesin tonë, e jo vetëm në interes të europianëve”, tha kancelarja gjermane. “Do të zhvilloj bisedime me zemër e me shpirt me presidentin Donald Trump. Pikërisht sepse natyra e marrëdhënieve transatlantike ka ndryshuar, Europa është e vendosur të marrë më shumë përgjegjësi në të ardhmen, qoftë për mjedisin tonë, ashtu edhe përtej tij”.