Merz: Mirënjohës Trumpit për shtyrjen e sulmeve kundër termocentraleve iraniane
Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu sot mirënjohjen ndaj presidentit amerikan, Trump pas vendimit për të shtyrë sulmet kundër termocentraleve iraniane dhe për të hapur rrugën për bisedime të drejtpërdrejta me Teheranin.
“Jam mirënjohës që Trump njoftoi sot se po e shtyn këtë për pesë ditë dhe se tani ka hapur edhe mundësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm me udhëheqjen iraniane”, tha kancelari në një konferencë për shtyp.
Merz, i cili foli dje me Trumpin, tha se i kishte shprehur “shqetësimin” e tij pasi ky i fundit lëshoi një ultimatum në orën 23:44 GMT, të hënën, duke kërkuar që Irani të rihapë Ngushticën e Hormuzit, përndryshe termocentralet e vendit do të bombardoheshin.
Në një kthesë dramatike të hënën, Donald Trump më në fund njoftoi “diskutime shumë të mira dhe produktive për një ndërprerje të plotë” të armiqësive me Iranin.
Megjithatë, mediat lokale mohuan shpejt çdo negociatë të tillë.
Merz deklaroi se i kishte sugjeruar Trumpit që Gjermania të përdorë kontaktet e saj në Lindjen e Mesme për të “arritur një armëpushim në rajon sa më shpejt të jetë e mundur”.
Gjermania, ekonomia e së cilës ka qenë në krizë për tre vjet, ka frikë, si pjesa më e madhe e botës, se do të zhytet në një situatë edhe më serioze ekonomike për shkak të çmimeve në rritje të hidrokarbureve.
Shkaku është bllokada e Teheranit ndaj Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore strategjike për furnizimet globale me naftë dhe gaz, që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën ofensivën e tyre./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.