MESJETA – përditshmëria “ndryshe” e europianëve të dikurshëm
Le të zhvendosemi shekuj pas në kohë e të shohim se cila ishte përditshmëria dhe sfondi social-ekonomik në kohën kur nisi të zinte vend kjo ide? Cila ishte shkalla e zhvillimit njerëzor në Europë, e parë nga një këndvështrim fare praktik e krahasimor
Nocioni “Renaissance” vjen nga frëngjishtja dhe do të thotë Rilindje. Ky nocion e ka marrë prej kohësh “të drejtën e qytetarisë” si një përcaktim për një fazë të Mesjetës së vonë, që shtrihet nga shekulli i 14-16, ku rrënjët apo referencat gjenden thellë në trashëgiminë klasike europiane, duke u rikonceptuar si një “rilindje” e periudhës së antikitetit, një vrull i përgjithshëm ky, që solli ndikimin e vet në shumë fusha, si në shkencë, ekonomi, politikë e art.
“Kjo mënyrë e re për ta kuptuar e përcaktuar botën”, sipas historianit të artit, Egon Friedell, fillimisht u përhap në qytet-shtetet
e Italisë. Atje ajo u pagëzua me emrin “Rinascita”, gjë që në fakt do të thoshte përsëri, ndoshta si për ironi të fatit, “rilindje”.
Në këta shekuj, qytetet italiane kishin marrë një zhvillim të vrullshëm dhe ishin shndërruar në shembuj të fuqishëm, para së gjithash, të jetës ekonomike, por edhe të asaj politike e ushtarake: Gjeneva, Venediku, Firence dhe Roma po zhvilloheshin si qytete me resurse të mëdha kulturore e arkitekturore, ku aristokracia po festonte triumfet e saj të para.
Por cila ishte përditshmëria dhe sfondi social-ekonomik në kohën kur nisi të zinte vend ideja e “Rilindjes”? Cila ishte shkalla e zhvillimit njerëzor – të paktën në Europë – e parë nga një këndvështrim fare praktik, duke shmangur cilësimet e trajtesat me karakter politik. Në një studim të tijin, historiani e sociologu gjerman, Matthias Seng, përpiqet të na japë një imazh më të qartë të jetës së përditshme qytetare në ato kohë.
Si fillim ia vlen të flasim pak për ndërtimet. Nëse ndërtimi karakteristik i veriut të kontinentit ishte Katedralja, ndërkohë në Itali, simbol i pushtetit të shtresës së lartë aristokrate, u bë tashmë i ashtuquajturi “Palazzo”. Pjesa tjetër e Europës, e sidomos, rajonet gjermanike, qëndronin asokohe sigurisht, poshtë qyteteve italiane, por edhe atje u ndërmorën përpjekje serioze për ta lehtësuar jetesën e njerëzve, për t’u rritur pushtetin dhe prestigjin.
Një qytet i madh gjerman si Këlni, në shekujt 14-15, akoma nuk numëronte më shumë se 40 000 banorë, ndërsa Nurembergu rreth 20 000 dhe metropoli i sotshëm, Berlini me 7 000 banorët e tij në fillimet e shekullit të 15, ishin në këtë mënyrë në krahasim me qytetet italiane, veçse fshatra të mëdhenj.
Jeta në qytete vërtitej asokohe në pjesën më të madhe të saj, në aspekte të zakonshme e themelore të saj, tek e fundit jo shumë e ndryshme nga ajo e sotmja në pretendime, pra e ngrëna dhe e pira, banimi, ndërtimi e puna, furnizimi me mallra të konsumit të përditshëm dhe jo të përditshëm, shëndeti dhe ambienti (pse jo dhe mbrojtja e mjedisit), luksi, ngarkesa dhe qejfet përbënin dhe tablonë e jetës së përditshme qytetare asokohe.
Uji i pijshëm dhe ushqimi
Furnizimi me ujë nëpër shtëpi, ishte asokohe në pjesën më të madhe, një çështje private. Uji transportohej nga puset, që fillimisht ishin prej druri, ndërsa më vonë u zëvendësuan me gurë. Muret e puseve prej druri, shpesh sillnin si pasojë, që uji të ndyhej dhe të ishte, pra i një cilësie të dobët. Shtresa aristokrate e popullsisë dhe pjesë të klerit, kishin privilegjin të gëzonin ujin që u vinte nga tubacionet, të bëra kryesisht nga druri e më vonë edhe nga metali.
Burime uji të pijshëm, në fakt kishte mjaftueshëm, në kuptimin ekzistencial, por shumë preferonin verën dhe birrën. Uji sigurisht, jo vetëm pihej, por u shërbente shumë synimeve e nevojave: për të pastruar mbetjet organike (ujërat e zeza), si rezervuar filtrimi dhe për pastrimin e elbit e prodhimin e shumë asortimenteve.
Disa qytete, si për shembull, në Augsburg në Gjermani, u ndërronin rrjedhën lumenjve të tyre dhe i linin të përshkonin qytetin mes për mes. Ujërat e zeza zbrazeshin në ato ujëra dhe liheshin të rridhnin më pas normalisht.
Buka e misrit dhe ajo e thekrës përbënin asokohe dhe ushqimin bazë. Racionet e ditës reflektonin edhe statusin social të popullsisë: të pasurit për shembull, sigurisht, mund të shijonin shumë më shumë se kaq.
Gruri sillej në tregjet e qyteteve kryesisht nga fushat apo nga zonat e një distance relativisht të vogël apo të mesme. Sipas vlerësimeve e statistikave të kohës, del se më shumë se gjysma e popullsisë renditeshin te shtresa e varfër dhe është më se e qartë se ushqimi i mirë apo i pasur në vitamina, ishte privilegj vetëm i një pakice.
Mbresëlënës është disi edhe furnizimi relativisht i mirë i qyteteve me mish. Në rrjedhën e kohës u zhvillua dalëngadalë një tregti e rregullt transkontinentale me mish gjedhi, sidomos me lopë, që vinin nga zona me mijëra kilometra larg vendit ku shiteshin, si për shembull, nga Ukraina.
Në fakt, sot mbizotëron mendimi se asokohe kishte një monotoni për sa i përket menysë së ushqimit e gjellëve që njerëzit konsumonin. Por nga burime të ndryshme del se, për shembull, vetëm gjatë një mbledhjeje të Këshillit Peshkopal, në Konstancë (Gjermani), viheshin re asortimente të shumëllojshme mishi, ku numëroheshin: derri, gjedhi, qengji, fazanë e pula, si dhe peshk, ku bie në sy krapi, peshku shigjetë, trofta, ngjala, si dhe peshq e fruta deti të kriposura.
Banimi në shekullin e 15
Qytetet e Mesjetës së vonë në fakt i ngjasonin një qyteti prej druri. Afërsisht, të gjitha ndërtesat ishin prej druri, ashtu sikurse dhe urat dhe nëpër qytete ngrihej një gardh si mbrojtje nga “miqtë e padëshirueshëm”. Mënyrat e ndërtimit me dru sillnin shpesh edhe pasoja dramatike: kështu për shembull, një herë u prenë sipërfaqe të tëra me pyje dhe ishin aq shumë, saqë në shumë qytete u teproi aq mall, sa dilte për të ndërtuar edhe katet përdhese, plotësisht me dru.
Nga ana tjetër, sigurisht se ndërtimi me dru rriste rrezikun e zjarrit dhe disa qytete në fakt, u përfshinë shpesh nga valë zjarrvëniesh të mëdha.
Për arsye sigurie, u vendosën asokohe edhe rregullat e para apo më mirë, udhëzimet e përgjithshme për masat ndaj zjarrit, që duhej të zbatoheshin nga feudalët. Një problem ishte dhe vendqëndrimi pranë e pranë i shtëpive me dyqanet apo me ndërmarrjet e vogla zejtare, që sillnin shpesh edhe shqetësime të mëdha për shëndetin, për shkak të erërave e aromave mbytëse që lëshonin.
Edhe këtu, “paria” e qyteteve nisi të kujdesej që mallrat e përpunuara dalëngadalë të zhvendoseshin në periferi të qyteteve, duke vënë kështu edhe themelet e para në historinë e përpjekjeve për mbrojtjen e ambientit.
Nëse deri atëherë, qytetet përshkoheshin vetëm nga rrugë thjesht të hapura, por të pashtruara, tashmë, duke ia nisur qysh nga shekulli i 14, nisi të ushtrohej kujdes që ato të shtroheshin me gurë (kalldrëm) dhe të mirëmbaheshin e të pastroheshin
Në Vjenë dhe në Nuremberg për shembull, silleshin gurë të latuar e të përpunuar më parë, që më pas përdoreshin për të shtruar rrugët e qyteteve, ndërsa në qytete të tjera, më pak të pasura, përdoreshin
pllaka me baltë të pjekur.