Meta: Mbështesim forcimin e institucioneve në Kosovë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë një takimi të mërkurën me kreun e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani vlerësoi angazhimin e tij disavjeçar në drejtimin e këtij institucioni, duke theksuar se Kushtetuta dhe zbatimi i saj i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Në këtë kuadër, kryeparlamentari shprehu mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë në forcimin e mëtejshëm të institucioneve kushtetuese dhe shtetërore në Kosovë, si një garanci për mirëfunksionimin e jetës demokratike të vendit dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme institucionale të Shqipërisë ndaj Kosovës, si dhe mirënjohjen për kontributin e Kuvendit në këtë drejtim.
Në përfundim, Meta dhe Hasani vlerësuan se konsolidimi i jetës institucionale në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, e përshpejton ritmin e integrimit evropian të të gjitha shteteve të rajonit tonë.