Meta, në Bulqizë: Rruga e Arbrit do të përfundojë në vjeshtë
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është ndalur në qytetin e Bulqizës, ku ka premtuar se rruga e Arbrit do të përfundojë në vjeshtë. Meta tha se LSI ka treguar se nuk bën rrugë thjesht për fushatë elektorale. “Ne nuk i lëmë rrugët rrugëve”, tha ai.
“Ulja e moshës së pensionit për minatorët e Bulqizës, po jo vetëm të saj, në 55 vjeç, nuk është një premtim, por një realizim konkret. Tashmë investimet që kanë nisur për t’i dhënë një perspektivë tjetër të paktën dhe për 30 vite që vijnë, industrisë së nxjerrjes së kromit janë një realitet, jo një premtim. Ne kemi treguar se nuk bëjmë rrugë dhe nuk hapim rrugë thjesht për fushata elektorale. Ne nuk i lëmë rrugët rrugëve, prandaj në vjeshtë fillon dhe do të përfundojë rruga e Arbrit, ajo që do të lidhe Bulqizën me Tiranë për 40 minuta në mënyrë më komode”, tha kreu i LSI-së.
Meta ftoi të gjithë qytetarët që të votojnë më 21 Qershor: “Të gjithë banorëve të Bulqizës, Dibrës dhe gjithë Shqipërisë, do t’u lutesha në radhë të parë të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos humbin rastin për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Këto nuk janë zgjedhje lokale të zakonshme, që bëhen thjesht një herë në 4 vjet. Në zgjedhjet e 21 Qershorit, populli shqiptar do t’i japë fund një keqorganizimi administrativ dhe territorial prej 25 vitesh, që luaji rol bllokues për zhvillimin e Shqipërisë dhe të hapë një epokë të re të organizimit territorial. Askush nuk duhet të humbë këtë mundësi që do të jetë pjesëtar i zgjedhjeve të 21 Qershorit, të cilat nuk do të mbahen mend për rezultatin, por për pjesëmarrje të jashtëzakonshme, mbështetjen që do t’i jepet kësaj reforme madhore dhe historike për të ardhmen e Shqipërisë”.