Meta takon Ramën: Janë pjekur rrethanat që opozita të vijë në Kuvend
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, është takuar paraditen e sotme me kryeministrin Edi Rama, ndërsa më pas u shpreh se nuk kishin biseduar për çështjen e Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore.
Në një prononcim për mediat, Meta tha se parlamenti do të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore sa i përket shqyrtimit të dekretit të Presidentit për Guvernatorin, ndërsa u shpreh i hapur për miratimin e një nisme ligjore të propozuar nga opozita që synon dekriminalizimin e Kuvendit.
“Me dekretin e Guvernatorit të Bankës, Presidenti ka përmbushur obligimet e tij kushtetuese. Edhe Kuvendi do të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh ai.
I pyetur për bojkotin e opozitës, Meta tha se tashmë janë pjekur të gjitha kushtet që opozita të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese në parlament. “Besoj se janë plotësuar të gjitha kushtet që opozita të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj në Kuvendin e Shqipërisë. Theksoj se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe pjekuri të gjitha rrethanat që opozita të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese dhe parlamentare”, u shpreh kryeparlamentari.