Politika

Meta: Të rrisim shpresën se Shqipëria është vend me të ardhme

Tre kandidatët për kryetar të LSI-së morën pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Tiranës, ku prezantuan platformat e tyre në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 6 nëntorit.

Gjatë fjalës së tij Kryetari i LSI-së,  Ilir Meta, u shpreh se në çdo vendim dhe në çdo veprim duhet të udhëhiqemi nga dëshira për të rritur shpresën se Shqipëria është një vend me të ardhme.

“Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të ketë vetëm një ideologji: interesin e publikut të gjerë dhe duhet të ketë vetëm një aleat për këtë çështje që është transparenca me qytetarin. Në çdo vendim dhe në çdo veprim ne udhëhiqemi nga dëshira për të rritur shpresën se Shqipëria është një vend me të ardhme dhe e ardhmja e Shqipërisë, rinia e saj do të qëndrojë këtu. Kjo është detyra jonë dhe unë do t’i shërbej kësaj me përkushtim maksimal gjatë katër viteve të ardhshme”, – tha Ilir Meta.

Ndërsa, kandidati tjetër Shezai Rrokaj theksoi se LSI-ja ka qenë forca politike që për stabilitetin e vendit ka pranuar aleanca edhe kundër natyrës së forcës sonë politike. Rrokaj u shpreh se LSI-ja është një parti që i qëndron interesave të qytetarit dhe nuk bën kompromis me askënd kundër interesave të qytetarëve.

“Kemi qenë forca politike që për stabilitetin e vendit, kemi pranuar aleanca edhe kundër natyrës së forcës sonë politike, sepse kemi vlerësuar se në radhë të parë përtej interesave tona politike janë interesat e qytetarëve dhe të vendit. Por, këto aleanca duhet të jenë të kujdesshme dhe duhet të bëhen mbi baza programore, të përputhshmërisë së programeve politike, të cilat do të bëhen pastaj pjesë të mandatit qeverisës. Këto aleanca do të bëhen pastaj mbi bazën e luajalitetit, të besueshmërisë, sepse nëse mungojnë këto në partneritetin qeverisës atëherë ka një problem shumë të madh në mënyrën sesi ne menaxhojmë pushtetin në raport me qytetarët. Fitorja kërkon hapje ndaj bazës, hapje ndaj qytetarit. Kemi shumë për të bërë sepse ne si forcë politike kemi guxuar ta themi të vërtetën edhe kur kjo e vërtetë nuk u pëlqen disave. Por, më mirë të mos u pëlqejë disave sesa kjo e vërtetë të mbetet rrugëve dhe të anashkalojë qytetarin. E kemi bërë këtë zgjedhje dhe këtë zgjedhje duhet ta shpiem deri në fund. LSI është një parti që i qëndron interesave të qytetarit dhe nuk bën kompromis me askënd kundër interesave të qytetarëve”, – shtoi  Shezai Rrokaj.

Në fjalën e tij para strukturave, kandidati për Kryetar të LSI-së, Përparim Spahiu tha se të gjithë duhet të vihemi në shërbim të zgjidhjeve të mëdha, që vendi kërkon nga ne, duke marrë përgjegjësi udhëheqëse në mbarë Shqipërinë.

“Ne themi që ky vend mund të bëhet dhe prandaj jemi në politikë, nisur nga ky besim dhe  nga kjo bindje, ndryshe do të ishte e kotë dhe hipokrizi të kërkonim votat e shqiptarëve. Dhe për këtë, ne duhet të vihemi në shërbim të zgjidhjeve të mëdha, që vendi kërkon nga ne, jo duke u ankuar dhe as duke ngritur duart lart, por duke marrë përgjegjësi udhëheqëse në mbarë Shqipërinë. Ka ardhur koha që Lëvizja Socialiste për Integrim, që është e vetmja forcë politike që rritet çdo ditë, të ketë një rol parësor dhe një rol udhëheqës në politikën shqiptare dhe në shoqërinë shqiptare”, – deklaroi  Spahiu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button