Politika

Meta:Franca, partner i rëndësishëm në procesin e integrimit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti të premten një delegacion të Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri në Senatin Francez, i përbërë nga Senatorja Bariza Khiari, Zv. Presidente e Senatit dhe Senatori Bernard Fournier, anëtar i komisionit të Jashtëm, Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.

Sipas një njoftimi për shtyp nga Kuvendi, kryeparlamentari Meta vlerësoi forcimin e marrëdhënieve dhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare mes Shqipërisë e Francës, veçanërisht mes grupeve reciproke të miqësisë.
Meta theksoi se Franca është jo vetëm një vend mik i Shqipërisë, por edhe një partner shumë i rëndësishëm në kuadër të avancimit të procesit të integrimit evropian të vendit. Në këtë drejtim, u theksua nevoja e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht të shkëmbimeve tregtare dhe thithjes së investimeve franceze në Shqipëri.

Senatorët Khiari dhe Fournier rikonfirmuan mbështetjen e pakursyer të Francës dhe të Senatit të saj për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për progresin social dhe ekonomik të marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve tona.
Senatorët francezë vlerësuan gjithashtu zhvillimet pozitive të gjithanshme në Shqipëri gjatë viteve të fundit si dhe modelin e shkëlqyer të bashkëjetesës fetare që Shqipëria projekton në arenën ndërkombëtare dhe nënvizuan njëkohësisht se Franca e vlerëson maksimalisht kontributin konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në përfundim, duke vënë në dukje lidhjet historike mes dy popujve dhe cilësitë e Shqipërisë si një vend i Frankofonisë, kryetari i Kuvendit dhe senatorët francezë ndanë bindjen se baza e fortë e lidhjeve mes dy vendeve tona shërben si një themel solid për rritjen e investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button