MF: Shqipëria përjashtohet nga monitorimi për pastrim parash dhe financim të terrorizmit
Shqipëria nuk do të jetë më pjesë e grupit të vendeve që janë nën monitorim të vazhdueshëm për pastrim parash dhe financim të terrorizmit, bëhet e ditur në një njoftim për shtyp të ministrisë së Financave.
Ministria e Financave i referohet raportit më të fundit të grupit Onsite Team të ICRG. Shqipëria thuhet ne njoftim, është vendi që ka plotësuar të gjitha mangësitë e raportuara në vite nga FATF (Financial Action Task Force), që monitoron zbatimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në botë. Shtetet anëtare të këtij grupi kanë vlerësuar përpjekjet e bëra nga Shqipëria në këtë drejtim.
Sipas raportit, Shqipëria ka adresuar artikujt në planin e veprimit dhe se “zbatimi ka filluar dhe është duke u mbështetur nga qeveria”, përfaqësuesit e së cilës, sipas të njëjtit burim,“treguan një angazhim të fortë për detyrat e tyre në sektorin ligjor dhe financiar, duke reflektuar njohuri të thella dhe vetëdije të fortë në zbatim tëdetyrave të lëna”.
Me marrjen e këtij vendimi, Shqipëria nuk do të bëjë më pjesë në grupin e vendeve që janë nën monitorim të vazhdueshëm për pastrim parash dhe financim terrorizmi.
Raporti u miratua në seancën e rradhës të ICRG në Paris, në datat 24-25 shkurt, që pasqyron rezultatet në përfundim të një pune gati një-vjeçare.