Ekonomia

MF: Transparencë dhe shpejtësi në pagesat për të përndjekurit politikë

Ministria e Financave është duke parë me përparësi zgjidhje të reja për të ofruar jo vetëm transparencë të plotë në kryerjen e pagesave ligjore të të përndjekurve politikë, por edhe përmirësime teknologjike që shpejtojnë përfundimin e këtij procesi.

Për këtë arsye, burime zyrtare të ministrisë së Financave bëjnë të ditur se ka filluar puna për krijimin e sistemit të informatizuar të menaxhimit të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë.

Ky sistem, sipas MF-së, do të përdoret për realizimin automatik të të gjithë procesit, që nga regjistrimi i dosjeve e deri në ekzekutimin e pagesave, si dhe do të ofrojë transparencë të plotë për të gjitha veprimet e kryera.

Përdorimi i këtij sistemi do të ndikojnë ndjeshëm dhe në përshpejtimin e procesit, duke eleminuar, sa më shumë të jetë e mundur, punën manuale dhe duke siguruar automatizimin e saj. Projekti ka nisur në gusht 2015 dhe sistemi do të fillojë funksionimin online në mars 2016.

Sipas satistikave të MF-së, nga viti 2007 deri në 2013 janë paguar ata ish të dënuar, të cilët jetojnë, si dhe trashëgimtarët për këstin e tyre të parë dhe një pjesë e kësteve të dyta me një shumë totale prej 9.39 miliardë lekësh dhe me një përqindje realizimi mesatarisht 84.83%. Gjatë vitit 2014, janë paguar gjithsej për këst të parë rreth 1,374 përfitues me një shumë totale prej 275 milionë lekë. Ecuri pozitive është shënuar edhe gjatë vitit 2015.

Një nga objektivat e ministrisë së Financave, për vitin 2016, është përfundimi i plotë i shpërndarjes së këstit të pestë dhe fillimin e likuidimit të këstit të gjashtë për kategorinë parësore, si dhe vazhdimin me përpikmëri dhe seriozitet të shpërndarjes së fondit sipas numrit rendor të kësteve pasaardhëse për kategorinë joparësore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button