Mickoski: Antimoni mund ta rrisë rëndësinë strategjike dhe ekonomike të Maqedonisë
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se rezervat potenciale të antimonit mund të jenë shumë më të mëdha se ato të dy shitësve më të mëdhenj në botë.
Shkup, 19 shtator 2026 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka vlerësuar se rezervat potenciale të antimonit në vend mund të kenë rëndësi të madhe ekonomike dhe strategjike për vendin.
“Antimoni është mineral kritik dhe i rrallë, që përdoret më shpesh në industrinë ushtarake. Sigurisht që ka edhe përdorime të tjera, por në përgjithësi, kur flasim për antimonin, flasim për industrinë ushtarake”, tha Mickoski në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, realizimi i projektit mund të rrisë rëndësinë strategjike të vendit dhe të sjellë përfitime ekonomike për qytetarët: “Me përfundimin e këtij projekti do të mund të rrisim rëndësinë e vendit tim dhe njëkohësisht të rrisim pasurinë e qytetarëve dhe standardin ekonomik”.
Mickoski iu referua raporteve paraprake, sipas të cilave rezervat potenciale mund të jenë “shumë më të mëdha se rezervat e mbledhura të shitësit të parë dhe të dytë në botë” aktualisht. Ai nuk saktësoi në postim se për çfarë sasish konkrete bëhet fjalë, as kur do të niste realizimi i projektit.
Deklarata vjen ndërsa projekti i eksplorimit të antimonit te miniera “Krstov Dol” pranë Kriva Pallankës po zhvillohet me mbështetjen e një granti prej 5 milionë dollarësh nga korporata amerikane DFC.
Burimi: TV21



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.