Bota

Midis kufijve të Gjermanisë së ndarë – takime me protestues ultra të djathtë

Mes teoricienëve të komploteve e “njerëzve normalë”: reporteri i DW, Ben Knight raportoi për demonstrata ekstremiste të djathta në Chemnitz e Köthen e zhvilloi diskutime me protestuesit. Përshtypje nga lindja.

Javët e shkuara unë i rashë kryq e tërthor Gjermanisë Lindore, gjithnjë pas të ashtuquajturve nazistë. Si shumë gazetarë të tjerë më dërguan në Chemnitz, në Köthen dhe në Schöneberg, qytete të qeta, të cilat deri pak kohë më parë përmendeshin vetëm pak në lajme dhe në hashtaget e twitter-eve si simbole të nazizmit dhe të ndarjes së shoqërisë.

Debati për refugjatët ka kohë që po acarohet në Gjermani. Reagimet histerike për vrasjet në landet Saksoni dhe në Saksoni-Anhalt nuk vijnë pa pritur. Në fund të fundit, ka vite që populistët e djathtë arrijnë të nxjerrin në rrugë në anën e tyre në të dyja këto lande lindore të Gjermanisë gjithnjë e më shumë njerëz.

E megjithatë: disa gjëra nga ato që shoh atje janë shqetësuese: neonazistë me lule në grushtat e tyre me tatuazh, përzihen midis njerëzve në zi që qajnë. Populistë ekstremistë të djathtë vënë kurora të mëdha ngushëllimi pranë një numri të vogël qirinjsh plastikë në një shesh lojërash. Njerëz që nuk kanë pranë ndonjë demonstratë kundër nazistëve dhe që u dalin përballë fare vetëm grupeve të tërbuara të populistëve të djathtë, megjithëse dridhen nga frika dhe zemërimi. Njerëz, që të rrethuar nga kamerat dhe mikrofonet zhvillojnë me zë të lartë debate me racistët.

Nganjëherë shtypi i paraqet ngjarjet pak si tepër dramatike. Kur pas një shërbimi kthehem në Berlin, kolegët më përshëndesin sikur sapo të jem kthyer nga ndonjë mision në Aleppo. Në komente lexoj për “ringjalljen e fashizmit gjerman”. Dhe se është e barabartë me kapitullim ose me një shpallje të rrezikshme si “normalë” mosvënia e emrit nazist pjesëmarrësve në demonstrata.

Këtë nuk mund ta kundërshtoj – njerëz që demonstrojnë pranë neonazistëve nuk kanë të drejtë të ankohen, kur i quan nazistë. Gazetarët mund të shkruajnë vetëm atë, që shohin para vetes.

Dhe herë pas here Republika Demokratike Gjermane

Por unë kam folur edhe me shumë njerëz që kanë marrë pjesë në demonstrata të grupeve ekstremiste të djathta si Pro Chemnitz dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD). E di si reagojnë ata kur i karakterizojnë kështu në medie, e përjetova vetëm pak ditë më parë në Köthen.

Shkaku se pse këta njerëz konsiderohen nazistë, më shpjegoi një burrë atje, janë njerëzit si puna ime. Unë sipas tij “jam një elitist i shtypit që mbështet shtetin”. Ky burrë, që është rritur në ish-Republikën Demokratike Gjermane, më tha se puna ime nuk është “aspak e ndryshme nga propaganda e partisë, të cilën e shpërndante atëherë shtypi” dhe se “shefja” ime, Angela Merkel, është vetëm një version i ri i diktatorit të RDGJ, Erich Honecker.

Megjithatë nuk do të kishte kuptim që atë ta quash thjesht nazist. Ai gjithsesi ishte i bindur që unë mendoja kështu për të – e ku do të çonte kjo?

Askush nuk e konsideron racist veten

Sapo dëgjojnë fjalën nazist, gjermanët automatikisht tërbohen, sa nuk të dëgjojnë më për asgjë tjetër. Zor se ndonjë gjerman do ta shihte veten si pjesë të nënkulturës naziste. Kur e dëgjojnë këtë fjalë mbështetësit e Pegidas antiislame, ata fshijnë nga vëmendja gjithçka tjetër. Kjo fjalë ka për ta vetëm kuptimin që personi që e përdor atë fjalë, është i indoktrinuar nga e ashtuquajtura elitë. Ed, një demonstrues nga Holanda i Pro Chemnitz më tha duke qeshur: “Fjala nazist për mua nuk ka më fare kuptim”.

Në shumë qytete zhvillohen – si këtu në Hanover – demonstrata për tolerancë dhe kundër armiqësisë ndaj të huajve.

Ky është një nga keqkuptimet e mëdha në të gjithë debatin: vënia e shenjës së barazisë midis “ekstremist i djathtë” dhe “racist”. Ka shumë mundësi që njerëzit, që e quajnë veten jopolitikë dhe madje të majtë, të kenë pikëpamje raciste, edhe kur nuk duan ta pranojnë. Racizmi nuk është pozicion politik.

Cinizëm për politikën

Thuajse çdo argumenti që paraqet i vënë përballë një problem tjetër social, me një “Po si është puna me…?” Cinizmi për politikën është shumë i përhapur te demonstruesit. Nuk bën asnjë dobi kur tërheq vëmendjen se politika e azilit e Merkelit është bërë në mënyrë të konsiderueshme më e rreptë – se për shembull shumë azilkërkues mbahen fare pa të drejta për muaj të tërë në strehime të përbashkëta, në kohën që përpunohet kërkesa e tyre, ose se në Gjermani vijnë në fakt shumë pak azilkërkues. Ajo që dëgjon është vetë: “Nuk është e vërtetë”. Flet me një mur.

Këto biseda janë jashtëzakonisht të mundimshme – ndihesh sikur të duhet që të marrësh çdo detaj dhe ta zbërthesh në elementët më bazorë. Por megjithë shoqërinë e ndarë në Gjermani vlen: me përjashtim të nazistëve të vërtetë, të papërmirësueshëm, shumica do të jenë të gatshëm që të zhvillojnë biseda të tilla. Edhe kur je i “shtypit që mbështet shtetin”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button