Mijëra të rinj protestojnë në Gjermani kundër qeverisë Merz: Koha për rezistencë
Mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, kanë dalë në rrugët e Gjermanisë në kuadër të protestave të organizuara nga lëvizja “GenZ regelt!”, të zhvilluara në Berlin, Frankfurt, Këln, Mynih dhe dhjetëra qytete të tjera.
Protestat janë frymëzuar nga lëvizje të ngjashme në vende të tjera evropiane, përfshirë Francën dhe Italinë. Për mbarëvajtjen e tyre, autoritetet gjermane angazhuan mijëra efektivë policie, ndërsa disa biznese morën masa paraprake duke mbrojtur vitrinat e dyqaneve, për shkak të frikës nga shpërthimi i incidenteve.
Gjatë demonstratave pati raportime për hedhje fishekzjarrësh dhe disa arrestime, megjithëse protestat në orët e para të mbrëmjes u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe kancelarit konservator Friedrich Merz, ku ndër të tjera shkruhej: “Koha për rezistencë” dhe “Merz duhet të ikë”.
“Po dalim në rrugë për një jetë që të gjithë mund ta përballojnë”, deklaroi Veronika Dinter, zëdhënëse e lëvizjes “GenZ regelt!”, duke shtuar se shumë të rinj nuk besojnë më në një të ardhme më të mirë nëse situata vazhdon në këtë mënyrë.
Pakënaqësitë e protestuesve lidhen kryesisht me rritjen e kostos së jetesës, gjendjen e dobët të shkollave, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe vendimet politike, të cilat sipas tyre nuk marrin mjaftueshëm në konsideratë interesat e brezit të ri.
Një tjetër çështje që ka nxitur reagime është rritja e shpenzimeve ushtarake dhe modeli i ri i shërbimit vullnetar, që synon shtimin e numrit të trupave në ushtrinë gjermane. Të rinjtë druhen se kjo mund të jetë një hap drejt rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Megjithatë, pjesëmarrja në protesta rezultoi më e ulët nga sa kishin parashikuar organizatorët.
Sipas të dhënave të policisë, në Berlin protestuan rreth 2,700 persona, në Mynih rreth 1,800 dhe në Frankfurt rreth 1,000. Në Këln, autoritetet raportuan se numri i pjesëmarrësve ishte dukshëm më i ulët se 15 mijë personat e regjistruar paraprakisht nga organizatorët.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.