Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se SHBA-ja përshëndet vendimin e parlamentit maqedonas për miratimin e amendamenteve të domosdoshme për ratifikimin e ”Marrëveshjes së Prespës” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin me Greqinë.
“Liderët e Maqedonisë demonstruan vizion, guxim dhe qëndrueshmëri në këmbënguljen për të gjetur zgjidhjen për mosmarrëveshjen për emrin, që do të mundësojë që Maqedonia me të drejtë të zërë vendin e saj në NATO dhe në Bashkimin Europian si Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e DASH-it. Pompeo theksoi se ”SHBA-ja e sheh vendimin si mundësi historike për zhvillimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajon”.