MILANO – Piantedosi: 500 ushtarë shtesë për sigurinë, dhuna e të rinjve kërkon masa të reja
MILANO, 21 tetor /ATSH-ANSA/ – Rreth 500 ushtarë do të angazhohen në Milano për të mbështetur forcat e rendit në garantimin e sigurisë publike, pas akteve të dhunës, vandalizmit dhe plaçkitjeve të regjistruara në qendër të qytetit gjatë fundjavës.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, deklaroi se ushtarët do të kenë liri të gjerë lëvizjeje në territor, njësoj siç ndodh në qytete të tjera, përfshirë Romën.
Ai theksoi se ”masat janë diskutuar dhe koordinuar me kryebashkiakun e Milanos, Giuseppe Sala”.
Pas mbledhjes së Komitetit për Rendin Publik dhe Sigurinë në prefekturën e Milanos, Piantedosi e cilësoi dhunën e shkaktuar nga të rinjtë si një fenomen të ri dhe kompleks, që kërkon mënyra të reja ndërhyrjeje.
Ministri nënvizoi se ”parandalimi nga ana e forcave të rendit është thelbësor për situatën e pritshme, duke shtuar se masat parandaluese kanë nisur tashmë”.
Sa i përket mundësisë që të rinjtë të jenë nxitur ose drejtuar nga aktorë të jashtëm, Piantedosi tha se deri tani nuk ka asnjë provë që të mbështesë këtë hipotezë. Ai vuri në dukje se, pavarësisht organizimit të dhunës përmes rrjeteve sociale, nuk ka dëshmi për një drejtim të centralizuar të protestave.
Kryebashkiaku Giuseppe Sala mbështeti dërgimin e 500 ushtarëve, duke theksuar se në këtë fazë përparësi kanë kontrolli dhe ndëshkimi i akteve të dhunës.
“Një pjesë e reagimit duhet të përqendrohet te kontrolli dhe ndëshkimi, por duhet gjithashtu të përpiqemi të kuptojmë së bashku se si të përballemi me një problem të dukshëm brezash”, deklaroi Sala.
Ai sqaroi gjithashtu se kritikat e tij të mëparshme për numrin e forcave të rendit në terren nuk kishin për qëllim të provokonin, por përbënin një konstatim mbi situatën.
Për ditën e shtunë, kryebashkiaku shprehu shqetësimin për mundësinë e përplasjeve mes grupeve të ndryshme, përfshirë persona të ngjashëm me ata që shkaktuan dhunën gjatë fundjavës së kaluar, kundërshtarët e tyre dhe grupe anarkiste. Sipas tij, kjo mund të përbëjë një ditë të vështirë për qytetin dhe një provë për aftësinë e autoriteteve për të menaxhuar situatën.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini, kërkoi që ”përgjegjësit të ndëshkohen dhe dëmet të paguhen”.
“Mesazhi që duhet të përcillet është se asgjë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe kush shkakton dëme, duhet të paguajë”, deklaroi Salvini.
Ai bëri të ditur se 500 parashutistë janë gati të mbështesin forcat e rendit, duke kundërshtuar interpretimin e akteve të plaçkitjes dhe vandalizmit si shprehje të vështirësive sociale. Salvini kërkoi gjithashtu që dëmet e shkaktuara nga të miturit të mbulohen nga prindërit e tyre.
Mbledhja e Komitetit Provincial për Rendin Publik dhe Sigurinë u zhvillua pas përleshjeve dhe akteve të vandalizmit në qendër të Milanos gjatë së shtunës dhe të dielës. Në takim morën pjesë ministri Piantedosi, prefekti Claudio Sgaraglia, kreu i Policisë së Shtetit, Vittorio Pisani, drejtues të forcave të rendit dhe kryebashkiaku Sala. Në prefekturë mbërriti gjithashtu ministri Salvin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.