Opinion

Milicia e Serbisë na rrihte me më shumë kulturë se policia e Kosovës

Nga Berat Buzhala

Mua, si student, policia e Serbisë më ka rrahur dy herë. Në asnjërin prej këtyre rasteve nuk më ka rrahur me kaq brutalitet, siç e kanë rrahur dy zyrtarët e Policisë së Kosovës drejtorin e PTK’së, Agron Mustafën. Çfarë duhet të ndodhë më tepër që të arrestohen agresorët?

Si student jam rrahur nga policia e Serbisë, në pikë të ditës, në dy raste. Herën e parë, duhet të ketë qenë viti 1995/96, jo larg stacionit të autobusëve, një patrullë e policisë e kishte zënë një pritë afër një hyrjeje, në Kurriz. Kur më kontrolluan, e gjetën të fshehur në trupin tim një libër të Mbrojtjes dhe Sigurisë, si dhe 20 marka gjermane. Të dyja këto – edhe libri, e edhe markat gjermane, ishin të ndaluara për kohën. Për këtë arsye m’i konfiskuan dhe me rrahën, pasi që fillimisht me futën në një kthinë te errët afër veturës së tyre, ku nuk më shihte askush.

Herën e dytë me rrahën kur po udhëtoja një të shtune për në Pejë. Ishte ditë pazari. Policia po kontrollonte në mënyrë rutinore nëpër tren. Po kërkonin shqiptarë për t’i rrahur. Nuk e di saktë se për çfarë arsye, por njëri prej atyre që u përzgjodh për t’u rrahur isha unë. Me thanë të dilja nga kabina ku isha së bashku me vëllain dhe djalin e axhës dhe me dërguan në një kabinë të tyren, e cila ndodhej pak më larg. Kur me futën aty, perdet ishin të lëshuara, që të mos shihej në korridor, më thanë se kisha marrë pjesë në një sulm kundër policisë serbe në Podujevë. Arrita të qeshja pak, duke u thënë se kjo nuk ishte e vërtetë. Nuk e kisha përfunduar ende mirë mbrojtjen, time kur filluan flakareshat. Jo me shumë se dy-tri copa.

Sikur në rastin e parë, ashtu edhe në rastin e dytë, policia serbe po ma ruante dinjitetin, duke më rrahur në mënyrë profesionale, jashtë syve të qytetarëve të tjerë.

Sigurisht që gjurmët e gishtave të duarve të tyre qëndruan edhe për një kohë në faqet e mia.

Këtë shkrim po e shkruaj nën ndikim të fortë të emocioneve që m’i krijoi një video e publikuar nga drejtori i PTK’së, Agron Mustafa, i cili është rrahur para disa ditëve nga dy zyrtarë të policisë së Kosovës. Kohë më parë në media kishte qarkulluar një video e kësaj rrahje, mirëpo ajo nuk paska qenë asgjë, çfarë realisht paska ndodhur. Në versionin e gjatë të videos, të cilën mund ta shikoni edhe ju në faqet e kësaj gazete, na shfaqen pamje të tmerrshme. Para vetes e kemi një mënyrë të rrahjes që edhe policia e Serbisë do ta kishte pasur zili. Oficer policie, njëri prej tyre shumë i lartë, duke e përplasur për asfalti, për veture, një zyrtar të lartë të shtetit.

Kushdo që pyet për arsyen e kësaj rrahje, vetëm sa e justifikon këtë krim. Nuk ka aty as Pse, as Nëse, as Por. Kjo çfarë ka ndodhur është e pashembullt dhe e papranueshme, e kjo është edhe më dramatike kur e dimë që njërin prej këtyre aktorëve, shefin e krimeve ekonomike, Policia e Kosovës edhe më tutje nuk po ka guxim ta suspendojë, e pas kësaj video edhe ta arrestojë.

Çfarë duhet të ndodhë më tepër që ai të suspendohet/arrestohet? Duhet të dokumentohet duke vrarë njerëz në rrugë?

Ka shumë kohë që në opinion flitet e përflitet që Policia e Kosovës tashmë ka dalë komplet jashtë çdo kontrolli. Flitet se bandat brenda policisë së Kosovës aktualisht janë shumë më të fuqishme se secila bandë tjetër pa uniformë.

Me këtë video u dokumentuan spekulimet. Një ditë do të na rrahin të gjithë neve, nëse sot nuk i ndalet turri gangsterëve me uniforma.

Kryeministri Haradinaj nuk mund dhe nuk duhet të heshtë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button