Ministri Ahmetaj takon homologen serbe: Projekte të përbashkëta rajonale
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes e Turizmit, Arben Ahmetaj, priti sot në ambjentet e ministrisë, zv/kryeministren dhe ministren e Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Serbisë, Zorana Milajloviç dhe delegacionin që e shoqëron atë gjatë vizitës zyrtare njëditore që po zhvillon në Tiranë.
Kjo vizitë realizohet në kuadër të nismës së Berlinit për nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
Pas takimit të dy delegacioneve, ministri Arben Ahmetaj dhe zv/kryeministrja e Ministre e Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Serbisë, Zorana Milajloviç, dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Ministri Ahmetaj u shpreh se ky bashkëpunim do jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve të dy vendeve tona, ndërsa vuri ne dukje se, janë duke u përgatitur një sërë projektesh rajonale të përbashkëta. “Biseduam me ministren për një sërë projektesh dhe ky është një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal. Vizita e ministres në Tiranë është në kuadër të nismës së Berlinit, ku fjala kyce e këtij samiti ishte ndërlidhja”, tha Ahmetaj.
Nga ana e saj, ministrja Milajloviç shprehu solidaritetin për personat e prekur nga përmbytjet. Ndërsa sa i takon bashkëpunimit, Milajloviç theksoi se Shqipëria dhe Serbia duan të ecin përpara në rrugën drejt integrimit.