Ministri kanadez i Mbrojtjes pas kritikave të Pentagonit: Kanadaja nuk i jep llogari askujt në Uashington
David McGuinty riafirmoi sovranitetin kanadez një ditë pasi Pentagoni akuzoi Otavën se nuk bën mjaftueshëm për mbrojtjen e Amerikës së Veriut dhe se mbështetet prej dekadash te tatimpaguesit amerikanë.
Ministri kanadez i Mbrojtjes tha të martën se vendi i tij nuk i jep llogari askujt në Uashington, duke riafirmuar sovranitetin kanadez një ditë pasi Pentagoni akuzoi Otavën se nuk bën mjaftueshëm për të mbrojtur Amerikën e Veriut, njofton Associated Press.
“Kanadaja është një komb sovran. Do të jem shumë i drejtpërdrejtë: ne nuk raportojmë te Shtetet e Bashkuara”, u tha gazetarëve ministri David McGuinty.
Pentagoni tha se Kanadasë i mungon një plan i besueshëm për të përmbushur objektivat e shpenzimeve të NATO-s, duke e akuzuar Otavën se mbështetet prej dekadash te tatimpaguesit amerikanë që i paguajnë faturën e mbrojtjes. McGuinty këmbënguli se Kanadaja është në rrugë të mbarë për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtje dhe investime të lidhura me sigurinë deri në vitin 2035, me 4% deri në vitin 2030 — nga 1.25% vetëm 14 muaj më parë — dhe se aleatët ranë dakord ta rishikojnë këtë zotim në vitin 2029.
Fleta e fakteve e Pentagonit kritikoi edhe rishikimin nga Otava të blerjes së planifikuar të 88 avionëve amerikanë F-35, duke paralajmëruar se një flotë e përzier mund të përkeqësojë mungesat e personelit dhe të krijojë pasiguri për komandën NORAD. Kryeministri Mark Carney e urdhëroi rishikimin ndërsa presidenti Trump kërcënonte sovranitetin kanadez dhe vendoste tarifa; Kanadaja ka shqyrtuar edhe avionët suedezë Gripen, që mund të sillnin vende pune në prodhim.
Marrëdhëniet mes dy fqinjve janë tensionuar nga lufta tregtare e presidentit Trump dhe kërcënimet për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të amerikan. McGuinty tha se bashkëpunimi me Uashingtonin përmes NORAD-it dhe puna me NATO-n mbeten të pandryshuara: “Po i bëjmë investimet që njoftuam. Po i zbatojmë ato plane.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.