Borxhi tani matet me bilion, por pesha ndaj GDP-së ka rënë
Borxhi publik i Shqipërisë tejkaloi për herë të parë kufirin e 1 mijë miliardë lekëve dhe nga sot njësia matëse e tij do të jetë bilioni. Të dhënat e fundit zyrtare nga ministria e financave tregojnë se në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, borxhi kombëtar arriti në 1 bilion e 15 miliardë e 324 milionë lekë.
Pjesa dërrmuese e tij është borxh i marrë drejtëpërdrejtë nga qeveria, ndërsa rreth 60 miliardë lekë janë detyrime të ndërmarrjeve publike, të cilat edhe pse nuk shërbehen nga buxheti janë garantuar me dorëzani të qeverisë.
Krahasuar me fundin e vitit të kaluar, shifrat tregojnë se borxhi është rritur me 38 miliardë 1ekë. Por edhe pse është rritur në vlerë nominale, ministria e financave thotë se pesha e tij ndaj prodhimit kombëtar, që është dhe treguesi më i rëndësishëm i borxhit, ka rënë nga 69.17 për qind në 68.1 për qind. Megjithatë kjo shifër sipas ministrisë nuk përfshin detyrimet e prapambetura ende të papaguara, të cilat llogariten në rreth 15 mld leke ose 1 për qind e prodhimit kombëtar.
Borxhi publik i shqipërisë filloi të rritej pas vitit 2007, kur ish qeveria e djathtë zgjodhi ti kundërpërgjigjej krizës përmes një stimuli agresiv fiskal. E kombinuar dhe me ngadalësimin e rritjes ekonomike kjo bëri që borxhi të kërcejë nga 53.7 për qind në 2007-ën, në 62 për qind e prodhimit në fund të 2012-ës. Paralelisht vec detyrimeve formale, u krijua dhe një borxh i fshehtë ndaj biznesit në formën e faturave të papaguara.
Në vitin 2014, qeveria e majtë së bashku me FMN-në thanë se kjo shifër ishte sa 5.3 për qind e prodhimit kombëtar. E sapoardhur në pushtet ajo vendosi legalizimin dhe shlyerjen e tij sipas një plani trevjecar. Por demokratët thonë se shifra reale është shumë më e vogël dhe se ajo u fry qëllimisht nga qeveria për ti krijuar asaj mundësi të marrë borxh.