MINISTRIA: DREJTORESHA E SHKOLLËS NË ULQIN U ZGJODH SIPAS MERITËS, JO KOMBËSISË APO POLITIKËS
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit dhe kreut të Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, lidhur me emërimin e drejtoreshës së Shkollës së Mesme të Përzier “Vëllazërim-bashkim” në Ulqin.
Nga ministria thanë se drejtorët e shkollave në Mal të Zi nuk zgjidhen në bazë të përkatësisë kombëtare apo politike, por sipas njohurive, kompetencave, përvojës dhe rezultateve të arritura në procedurën e përcaktuar me ligj.
Sipas Ministrisë, procedura për zgjedhjen e drejtoreshës është zhvilluar plotësisht në përputhje me ligjin dhe në mënyrë transparente.
Në vendimin e ministrisë të datës 29 korrik 2026, kandidatja Snezhana Zhivanoviq është renditur e para me 39 nga 40 pikë të mundshme, ose 97.5 për qind.
Ministria theksoi se komisioni ka vlerësuar cilësinë e punës me shkrim, objektivat strategjikë, njohuritë mbi zhvillimet bashkëkohore në arsim, aftësitë e planifikimit, komunikimit dhe organizimit, si dhe kompetencat drejtuese.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit mohoi gjithashtu pretendimin se Zhivanoviq nuk flet gjuhën shqipe.
Sipas dokumentacionit të konkursit, ajo ka njohuri të gjuhës shqipe në nivelin B2. Ministria hodhi poshtë edhe pretendimin se drejtoresha është “sjellë nga një komunë tjetër”. Sipas tyre, Zhivanoviq është e punësuar në këtë shkollë që nga 1 tetori 2008, ku prej më shumë se 17 vitesh punon si mësimdhënëse.
“Është zgjedhur kandidatja që ka arritur rezultatin më të mirë në procedurën e përcaktuar. Ky është kriteri i vetëm relevant për ministrinë”, thuhet në reagim.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e cilësoi si “insinuatë politike” përpjekjen për ta paraqitur emërimin si akt “poshtërimi të Ulqinit”, “provokim institucional” apo “albanofobi”, duke theksuar se kritikat ndaj vendimit janë legjitime, por ato duhet të mbështeten në fakte dhe dokumentacion.
Ministria shtoi se, nëse dikush pretendon se procedura është shkelur, duhet të tregojë se cili ligj është shkelur, cili kriter nuk është respektuar apo cili rezultat i konkursit është anashkaluar.
Sipas Ministrisë, drejtorët e shkollave nuk duhet të zgjidhen mbi bazën e kuotave politike apo kombëtare, por sipas aftësive, kompetencave dhe rezultateve profesionale.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.