Ministria e Kulturës dorëzohet: Nuk i mbajmë dot monumentet
Monumentet e kulturës do të rijetëzohen. Kontratat e qirasë, nga 5 deri në 10 vjet
Dhënia e monumenteve të kulturës me qira, një ide e kundërshtuar fort nga anëtarë të PS-së gjatë kohës së kryeministrit Berisha tre vite më parë, tashmë vihet në jetë nga qeveria aktuale. Vetë ministrja Kumbaro ka përmendur dje në një konferencë për shtyp katër ministrat e Kulturës gjatë kohës së PD-së që kanë mbështetur idenë e dhënies me qira të monumenteve, dhe pse udhëzimet e tyre, sipas saj, linin hapësirë për shkelje të ligjit. “Rezultojnë katër udhëzime nga katër ministra pararendës, z. Pango, z. Turku, z. Xhaferraj, z. Zhiti, të cilat i gjejmë të paplota, të pasiguruara me garancitë shtesë të posaçme për Trashëgiminë Kulturore. Këto kanë qenë më së shumti udhëzime të bëra në vijim të kërkesave të subjekteve private për përdorim dhe jo në mbrojtje të pasurisë kombëtare”, tha Kumbaro. Duke e quajtur gati të pamundur që monumentet të administrohen siç duhet me buxhetet gjithnjë të pakta për kulturën, Kumbaro tha se udhëzimi i miratuar ka brenda gjithë elementet që do të sjellin një menaxhim më të mirë të trashëgimisë kulturore. “Trashëguam një situatë kur u lanë të rrënuara, të shkatërruara për 25 vjet. Mbyllëm një inventar që nuk ishte bërë prej 3 dekadash; 132 monumente mungonin që nga viti 1982. Këto të dhëna tregojnë se financat publike nuk mjaftojnë dhe nuk do të mjaftojnë edhe në vitet në vazhdim, edhe sikur të dyfishohet buxheti për të mirëmbajtur siç e meritojnë këto monumente”, tha dje Kumbaro. Ajo citoi nenin 39 të ligjit për Trashëgiminë Kulturore ku thuhet se “Monumentet e kulturës mund të rijetëzohen për qëllime administrative dhe socialkulturore, me kusht që funksioni i ri të mos dëmtojë vlerën e monumentit dhe kushtet e shfrytëzimit miratohen nga Instituti i Monumenteve”. Kumbaro e përmendi “formatin partneritetin publik-privat” duke dhënë shembull Britaninë e Madhe, Veronën apo Dyseldorfin. Duke pranuar se rijetëzimi është zgjedhja për të mbajtur në formë këto thesare të trashëgimisë sonë, Kumbaro tha se gjithçka, në rast të një dhënie me koncesion do të jetë konform hapësirave ligjore dhe do të ketë një komision menaxhimi që do të shohë rast pas rasti subjektin. Duke iu referuar akuzave në shtyp për këtë udhëzim, Kumbaro u shpreh se “për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi” nuk ka asnjë lidhje me koncesionet, ashtu si nuk bëhet fjalë as për privatizim dhe shitje të monumenteve të kulturës”. Sipas saj, udhëzimi është një detyrim ligjor që rrjedh nga zbatimi i ligjit “Për trashëgiminë kulturore, i ndryshuar” dhe është hartuar brenda të gjithë kuadrit ligjor ekzistues.
Udhëzimi
Në udhëzimin e miratuar nga ana e Ministrisë së Kulturës për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës parashikohet me detaje se si do të operohet në një proces të tillë. Në pikën A, (Qëllimi dhe parashikime të përgjithshme) thuhet se: 1. Monumentet e kulturës, në administrim të Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të saj të varësisë, jepen me qira dhe administrohen për qëllime rijetëzimi apo shfrytëzimi social-kulturor, me kusht që funksioni i ri të mos dëmtojë vlerën e monumentit. 2. Procedurat e administrimit me konkurrim apo jo, kryhen nga Ministria e Kulturës, me kërkesë të institucionit, të institucioneve të specializuara dhe/ose kërkesë apo iniciativë të subjekteve private. 3. Për çdo propozim apo grupe propozimesh, ministri i Kulturës, nëse e konsideron të nevojshëm, ngre Komisionin për Menaxhimin e Pasurive Kulturore, organ këshillimor i ministrit, për vlerësimin e praktikave. Ky Komision përbëhet nga specialistë të fushës, të cilët vlerësojnë llojin e procedurës, afatin e marrëdhënies, si dhe kriteret e vlerësimit që do të ndiqen rast pas rasti. 4. Komisioni propozon dhe këshillon ministrin mbi kriteret që duhet të vendosen, konkurrueshmërinë apo jo, formën e administrimit të monumentit të kulturës pas shqyrtimit të dokumentacionit që shoqëron iniciativën. Në tipologjinë e administrimit përfshihen jo vetëm OJQ por edhe persona fizikë.
Kontratat e rijetëzimit
“Kontrata e qirasë dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me qëllim rijetëzimin për sipërfaqe deri në 200 m², nënshkruhet nga institucioni që ka në varësi administrative monumentin pas autorizimit të ministrit të Kulturës. Kontratat për sipërfaqe mbi 200 m² nënshkruhen nga ministri i Kulturës”, thuhet në Fletoren Zyrtare të Ministrisë. Më tej sqarohet se “monitorimi i kontratës së nënshkruar bëhet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, sipas rastit, të paktën dy herë në vit, të cilët kanë këto detyra: a) Bëjnë dorëzimin me procesverbal të objektit të përshkruar në kontratë, si dhe e marrin atë në dorëzim kur mbaron afati i kontratës ose kur kontrata zgjidhet para afatit. Në procesverbal përshkruhet qartë gjendja fizike e pronës dhe shoqërohet me pamje fotografike të çastit. Akti i dorëzimit nënshkruhet nga të dyja palët; b) Ndjekin në vijueshmëri respektimin e kushteve të kontratës së qirasë dhe raportojnë pranë ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Ministria i kërkon institucionit që ka në administrim objektin të raportojë çdo tre muaj te ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, për realizimin e derdhjeve të detyrimeve të qirasë dhe të treguesve të tjerë, për kontratat e lidhura. Të ardhurat që krijohen nga dhënia me qira e monumenteve të kulturës do të shkojnë 10 për qind buxheti i shtetit dhe 90 për qind institucioni që ka në administrim objektin. Pas përfundimit të afatit të kontratave, investimi i bërë në monument, qoftë ai i luajtshëm apo i paluajtshëm, bazuar në projektet e miratuara, i mbetet monumentit dhe institucionit që e ka në administrim.
Afatet e lidhjes së kontratës së qirasë
- a) Për sipërfaqet deri 200 m², kohëzgjatja do të jetë nga 1 deri në 5 vjet;
- b) Për sipërfaqet nga 200–500 m², kohëzgjatja do të jetë deri në 10 vjet;
- c) Për sipërfaqet mbi 500 m², kohëzgjatja e kontratës së qirasë do të jetë deri në 20 vjet;