Ministria e Mjedisit refuzon projektin për Ulpianën, Pacolli: Betonizimi i kësaj lagjeje nuk kalon
Ministria e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht projektin "Ulpiana 2030 Legacy", ndërsa ministrja Fitore Pacolli deklaroi se betonizimi i një prej lagjeve më ikonike të Prishtinës nuk kalon.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nxjerrë sot zyrtarisht vendim për refuzimin e projektit “Ulpiana 2030 Legacy” të Kuvendit Komunal të Prishtinës, siç njofton KosovaPress. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për vlerësimin e ligjshmërisë së projektit.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli. “Projekti i Përparim Ramës për ta betonizuar njërën nga lagjet më ikonike të Prishtinës, Ulpianën, nuk kalon”, shkroi Pacolli, duke shtuar se gjatë hartimit dhe miratimit të projektit janë shpërfillur baza ligjore, procedurat dhe dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi, dhe se hapësirat publike nuk janë pronë private e kryetarit.
Sipas ministres, projekti nuk mbështetet në Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe as në dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi të Komunës së Prishtinës. Ajo theksoi se destinimi dhe parametrat urbanë janë caktuar përmes vendimit për caktimin e lokacionit, ndonëse duhet të përcaktohen vetëm me dokumentet e planifikimit hapësinor.
Projekti kishte ngjallur reagimet e banorëve të lagjes. Më 6 nëntor, Kuvendi Komunal i Prishtinës caktoi lokacionin për ndërtimin e një objekti të ri dhe një parkingu nëntokësor te “Fontana” në Ulpianë, me arsyetimin e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.
Megjithatë, Ministria e Rinisë dhe Sportit kishte bërë të ditur se një projekt i tillë nuk është i paraparë për këtë ngjarje, e cila në vitin 2030 mbahet në Prishtinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.