Politika

Miratohet lista e anëtarëve të KLGJ dhe KLP

Pas një seance maratonë që zgjati më shumë se 10 orë, Kuvendi miratoi listën e kandidatëve për anëtar të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë.

Ky ishte raundi i tretë i votimit të kandidatëve për këto dy organe dhe në rast të mos marrjes së 2/3 të votave, kandidatët e paraqitur në Kuvend nga nënkomisioni përkatës pranë Komisionit të Ligjeve konsideroheshin të zgjedhur, në bazë të ligjit 147 pikat 8 e Kushtetutës si dhe në bazë të nenit 35 të ligjit për organet e qeverisjes së drejtësisë.

Anëtarët e KLGj-së janë, Fatmira Luli dhe Alban Toro nga Avokatia, Erion Muharremaj dhe Maksim Qoku nga trupa e pedagogëve dhe Laureta Llagami nga shoqëria civile .

Ndërsa anëtarë e KLP-së janë, Julian Seitin dhe Tartar Bazën nga Avokatia, Genti Ibrahimin dhe Sandër Becin nga trupa e pedagogëve, Alfred Ballën nga shoqëria civile.

Në seancën e sotme pas debatesh mes palëve, Kuvendi miratoi rezolutën e Partisë Socialiste për votën e Shqipërisë mbi statusin e Jeruzalemit, ku i kërkon qeverisë që në përputhje me interesin kombëtar të vijojë të bashkëpunojë për forcimin e paqes, sigurisë, dhe bashkëpunimit në të tërë rajonin e Lindjes së Mesme, me aleatët dhe partnerët strategjikë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Kuvendi rrëzoi me shumicë votash rezolutën e paraqitur nga Partia Demokratike për çështjen e Jeruzalemit ku kërkohej ndryshimi i votës së Shqipërisë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në dhjetor, me argumentin se është antikombëtare.

Me 70 vota kundër Kuvendi po ashtu rrëzoi në parim projektligjin e paraqitur nga deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu “Për statusin e minatorit”.

Edhe projektligji “Për menaxhimin e burimeve ujore” u miratua në seancë me 74 vota pro.

Rama: Peizazh opozitar gjatë votimit për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë 

Kryeministri Edi Rama komentoi qëndrimin e opozitës në seancën e sotme plenare gjatë votimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, pasditen e së enjtes, kryeministri Rama shkruan, “peizazh opozitar gjatë votimit për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë”.

Po ashtu, kryeministri Rama postoi foton e sallës së braktisur nga opozita teksa diskutohej projektvendimi “Për miratimin e listës në bllok të kandidatëve për Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku është faktuar dhe ora 03:20 në tabelën elektronike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button