Mitet e hatashme politike që po prodhon JO-ja e Macronit!
Në vend që ta frenonte ose ta pengonte disi, kjo i ka lënë fushën e lirë, nisjes së një gare të shfrenuar hamendësimesh, spekullimesh, prodhimi mitesh të rreme dhe deri tek shfrenimi i pandalshëm i fantazisë së gjithkujt, që parapëlqen të gjejë përgjigje për gjithçka, tek teoritë konspirative në një epokë ku asgjë nuk ndodh rastësisht.
E po ta mendosh hollë hollë, nuk është se kanë edhe aq faj, kur dihet që jetojmë historikisht në një gadishull të mbushur me mite, legjenda, balada, histori të vërteta, gjysëm të vërteta apo aspak të vërteta, që e kanë ushqyer përditshmërinë tonë, duke e shndërruar atë në një mënyrë jetese.
Mbi një shekull më parë, jo shumë larg Tiranës dhe Shkupit, thuhet rëndom se vrasja e Princit austriak Franz Ferdinand “ndezi” Luftën e Parë Botërore. Por nëse do i besojmë një boshnjaku si Haris Silajdzic, në librin e tij “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit” ai shkruan se pavarësisht sebepit, e vërteta është se Lufta e Madhe kishte si shkak, përpjekjet e fuqive të mëdha për ti dhënë Serbisë, një dalje në detin Adriatik.
Mu rikujtua ky detaj, ndërsa edhe vendimin e fundit të Macron kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e lidhin këto ditë, deri me një përpjekje ruse për të mos i hapur portat e BE vendeve të Ballkanit Perendimor. Disa thonë përgjithmonë. Shumë të tjerë deri në përfundimin e bisedimeve të ardhshme Serbi-Kosovë. E të tjerë akoma, i konsiderojnë francezët ende aq filoserbë sa të shohin prapa gjithë kësaj, merakun e tyre për të rikonfirmuar në zgjedhjet e ardhshme, sërisht Aleksandër Vuçiçin në krye të presidencës serbe.
Mendjet më racionale e lidhin JO-në e Macronit me hallet e brendshme politike të tij, me zgjedhjet lokale të marsit 2020 që pritet të zhvillohen në Francë. Ndonjë me ëndrrën e vjetër perandorake të një France që po nxiton që të përfitojë në këto momente për të mbushur boshllëkun e madh që po lë Brexit dhe ikja e Angela Merkelit, nga skena e madhe e politikës Europiane.
Ca e lidhin me teoritë konspirative të lobeve financiare botërore. E të tjerë akoma, me projektin e vjetër politik të Gjeneralit Charles De Gualle, i cili thoshte se “asgjë nuk është më e keqe për Europën se sa një hegjemoni amerikane që na mbyt, që na pengon të jemi vetvetja dhe që të merremi vesh me Lindjen… Europa nuk është si një tryezë e shtruar: mishi i pjekur është Franca dhe Gjermania; me pak garnitura sallatash përreth është Italia, ndërsa pijet janë Beneluksi…”
Pavarësisht se ndonjëra prej këtyre arësyeve veç e veç, ose edhe pak nga të gjitha mund të jenë pas JO-së së Macron, ajo që më shijon më shumë nga e gjithë kjo lojë, është shpejtësia dhe kreativiteti me të cilën prodhohen, shpërndahen, konsumohen dhe shijohen këto mite në praninë tonë. Për tiu rikthyer të nesërmen disa të tjerave, e të tjerave, e të tjerave… akoma. E kështu me radhë, deri në pafundësi.
I dëgjon të gjitha këto edhe në mediat kombëtare, edhe në ato lokale. Edhe në selitë e partive kryesore politike në Tiranë. Edhe nëpër zyrat e administratës qëndrore e lokale. Edhe në metropol, edhe në provincë. Edhe në qytet, edhe në fshat. Edhe nga profesionistët e fushave respektive, edhe nga të papunët. Edhe nga pala e mazhorancës, edhe nga pala e opozitës.
E bukura është se të gjitha këto, ngado e sido që artikulohen e rrotullohen, në fund e çojnë sërisht diskutimin në të vetmen pikë që kanë çuar të gjitha diskutimet rreth zhvillimeve të tjera politike në Shqipërinë e pas 23 qershorit 2013: Të iki apo të mos iki Edi Rama! Me siguri që kështu do të vazhdojë, derisa pas disa ditësh, të dali në skenë ndonjë histori tjetër politike. Në mënyrë që të gjithë të kenë se me çfarë të meren përsëri. Për ti rënë sërisht fyellit të tyre, në të njëjtën vrimë.
Deri atëherë: Dëgjim të këndshëm!