MODË – Cilat janë qytetet më të mira në botë për shopping
Europa, megjithëse është shtëpia e tri prej katër kryeqyteteve kryesore botërore të modës, ka vetëm gjashtë qytete në listën e 20 destinacioneve më të mira në botë për shopping, të publikuar nga revista “Time Out”.
Në renditjen për vitin 2026, vendin e parë e mban Shangai i Kinës, ndërsa Londra renditet e dyta. Në dhjetëshen e parë të listës përfshihet vetëm një tjetër qytet europian, Kopenhaga, në vendin e dhjetë.
Klasifikimi është hartuar në bashkëpunim me rrjetin ndërkombëtar të redaktorëve të “Time Out”, ekspertë vendas dhe rezultatet e sondazhit vjetor “Best Cities”, ku janë përfshirë opinionet e më shumë se 24 mijë banorëve në 150 qytete të botës.
Metodologjia e vlerësimit mbështetet në 70% te perceptimi i banorëve dhe në 30% te vlerësimi i ekspertëve. Në analizë janë marrë në konsideratë cilësia dhe larmia e dyqaneve, çmimet, atmosfera e qytetit, siguria, mikpritja, përvoja turistike, gastronomia dhe transporti publik.
Shangai kryeson renditjen falë një oferte të gjerë tregtare, ku ndërthuren markat ndërkombëtare me emrat vendas të modës dhe stilit të jetesës. Nga dyqanet antike te butiqet e kozmetikës dhe hapësirat moderne tregtare, qyteti ofron një përvojë të larmishme për vizitorët.
Londra, në vendin e dytë, mbetet një prej destinacioneve më të njohura për blerjet, me një ofertë që varion nga dyqanet luksoze Harrods, Liberty dhe Selfridges, te dyqanet vintage në Brick Lane dhe butiqet e Bond Street.
Tokio renditet e treta, e ndjekur nga Nju Jorku dhe Melburni. Kryeqyteti japonez tërheq vizitorët me modën e nivelit të lartë, veshjet vintage, produktet tradicionale artizanale, mangat dhe dyqanet e specializuara.
Në vijim të renditjes, Seuli pozicionohet në vendin e gjashtë, Ho Chi Minh City në të shtatin, Bangkoku në të tetin dhe Mexico City në të nëntin.
Europa përfaqësohet gjithashtu nga Lisbona në vendin e 11-të, Barcelona në vendin e 16-të, Firence në të 17-in dhe Vjena në të 18-in.
Lista e 20 destinacioneve më të mira në botë për shopping, sipas “Time Out” për vitin 2026:
* Shangai, Kinë
* Londër, Mbretëria e Bashkuar
* Tokio, Japoni
* Nju Jork, SHBA
* Melburn, Australi
* Seul, Koreja e Jugut
* Ho Chi Minh City, Vietnam
* Bangkok, Tajlandë
* Mexico City, Meksikë
* Kopenhagë, Danimarkë
* Lisbonë, Portugali
* Montreal, Kanada
* Marrakesh, Marok
* Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe
* Cape Town, Afrika e Jugut
* Barcelona, Spanjë
* Firence, Itali
* Vjenë, Austri
* Bogotá, Kolumbi
* Hong Kong



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.