Modernizim infrastrukturës kombëtare, përmes buxhetit 2018 dhe programit 1 miliard për Rindërtim
Në 4 vitet e ardhshme, rrugët e Shqipërisë do të garantojnë siguri dhe nuk do të kërcënojnë jetën e askujt. Pikërisht një prej prioriteteve të qeverisë, reflektuar edhe në buxhetin e 2018 , janë investimet ne infrastrukturë.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim konsultativ me grupet e interesit, kompanitë dhe sipërmarrjet për buxhetin e rrugëve për vitin 2018.
“Ambicia jonë është që në këtë 4 vjeçar ne të bëjmë të mundur që akset tona kombëtare të kthehen të sigurta që garantojnë lëvizshmërinë dhe nuk kërcënojnë jetën e askujt. Ne kemi një buxhet 42 % më të lartë për financimin e infrastrukturës. 42 % më i lartë do të thotë jo pak edhe pse nuk është i mjaftueshëm për të përfytyruar në një hark kohor për ndryshimin që duam, ama është i mjaftueshëm nëse projektet janë të duhura dhe nëse puna është e duhur që ne të hedhim hapa”, tha shefi i qeverisë.
Ne do t’ia dalim, tha Rama qoftë me financimin e buxhetit, qoftë edhe nëpërmjet programit 1 mld për rindërtim që është dedikuar për modernizimin dhe transformimin e akseve kombëtare.
Politika agresive për kontratat
Kryeministri Rama deklaroi se qeveri do të ndjekë një politikë më agresive për sistemimin e kontratave që mos lënë hapësira për mashtrime.
“Planifikimi ka qenë i mangët, projektet të mangëta, po ashtu edhe kontratat dhe në fund produkti është i mangët”, tha Rama duke iu referuar investimeve të deri tanishme në akset rrugorë në vend dhe mangësive në projekte.
Financimet për akset kombëtare
Kryeministri Edi Rama është ndalur në disa projekte konkrete, ku ndër të tjera garantoi përfundimin e rrugës Korçë-Ersekë. “Do të garantojmë më në fund edhe çlirimin e një ngërçi disa vjeçar ku u gjendëm për shkak të një gare me mangësi, të një kontrate me mangësi në 2 bypass-et e Fierit dhe Vlorës që më në fund janë vënë në rrugën e zgjidhjes”.
Ai tha më tej se edhe për rrugën e Arbërit mbetet vetëm finalizimi i kontratës dhe fillimi i punës në terren për të mos u ndaluar më.
Rama u shpreh se janë 10 segmente të rëndësishme që do të mbulohen nga buxheti i shtetit për 2018. “Do çojmë para projektin e Unazës së Madhe të Tiranës. By-pass-in e Tepelenës, do të përfundojmë rrugën Korçë-Ersekë, do të garantojmë By- Passet e Fierit dhe të Vlorës. Do të finalizojmë kontratën dhe do të fillojmë punën për rrugën e Arbrit. Milot-Balldren, Tiranë-Thumanë përmes Vorës, Kardhiq-Devlinë, një premtim i përsëritur nga të gjitha partitë, ka ardhur koha për t’i dhënë drejtim, më tutje aksin e ri Kashar-Rrogozhinë drejt Vlorës”.