Mori ryshfet, Policia e Shtetit pezullon inspektorin
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra inspektorin Muhamet Toka, efektiv në SPKM Hani i Hotit, për shkelje të rënda të detyrës pas publikimit të pamjeve në mediat online ku shfaqet duke marrë para në këmbim të favorizimit të mjeteve për të kaluar pa radhë.
Bëhet e ditur se Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur verifikimet për rastin dhe ka filluar ecurinë disiplinore për përjashtim nga Policia e Shtetit për shkelje të rënda të “Kodit të Etikës” dhe “Korrupsion pasiv”.
Ndërkohë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka nisur hetimin penal për këtë rast.
Në deklaratën e saj Policia e Shtetit falenderon edhe njëherë mediat dhe garanton se mbetet e vendosur të ndëshkojë çdo rast abuzimi me detyrën.