Mosrealizimi i të ardhurave, Fagu: Ndikim faktorët e jashtëm
Mungesa e të ardhurave në buxhetin e shtetit ka ardhur jo vetëm nga ulja e konsumit, por edhe nga faktorë të jashtëm.
Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Pranvera Fagu në një prononcim për mediat tha se nga informacionet tona nuk ka krim të organizuar të kontrabandës dhe se është detyrë funksionale hetimi për kontrabandë.
“Janë disa faktorë që kanë ndikuar në mosrealizimin e të ardhurave. Është ndikuar edhe nga ulja e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare si dhe rentës minerare”, deklaroi Fagu. Gjithsesi, ajo bëri të ditur se vetëm nga doganat në muajin tetor janë arkëtuar në buxhet 13.1 miliard lekë. Fagu, gjithashtu ftoi biznesin të denoncojnë të gjitha rastet kur nga autoritetet doganore kërkohet ryshfet.
Për të minimizuar informalitetin në këtë fushë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim me kompaninë “Crown Agents” kanë nisur një fushatë sensibilizimi “ Bëni biznes të pastër” kryesisht për pijet alkoolike dhe cigaren. Për t’i ardhur në ndihmë biznesit kompania që ka kontratën koncesionare të pullave fiskale ka prodhuar një kartë “sicpa validator”, e cila ndihmon në njohjen e origjinalitetit të pullave fiskale.
Lidhur me informalitetin në tregtimin e cigareve, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Fagu informoi se po punohet për hartimin e një ligji të ri për prodhuesit e duhanit, por ajo theksoi se është shumë i rëndësishëm regjistrimi i prodhuesve të këtij produkti.
Ndonëse pullat fiskale në Shqipëri mbajnë elemente të sofistikuar me shenja unike dalluese kundër falsifikimit, përsëri falsifikatorët ia kanë dalë të prodhojnë pulla fiskale false edhe me ngjyra.