Mrekulli në “limite”, Vedat Muriqi eviton humbjen e Kosovës

Dygolëshi i Vedat Muriqit i dhuroi Kosovës një pikë në takimin përballë Zvicrës në “Fadil Vokrri”, që përfundoi në barazim 2-2. Goli  Remo Freuler dhe autogoli i kapitenit Amir Rrahmani kaluan dy herë në avantazh helvetët.

Por ishte bomberi i Mallorcas që mposhti dy herë Yann Sommer, duke evituar humbjen e skuadrës dardane.

Kosova është ngjitur në kuotën e katër pikëve pas pesë ndeshjeve të para në grupin I, duke qenë për momentin pesë pikë larg Rumanisë së vendit të dytë.

Rival të cilën djemtë e Gliha do e sfidojnë të martën e 12 shtatorit në Bukuresht. “Finale” që do të transmetohet në SuperSport/DigitAlb.

Euro 2024/ Eliminatoret, Grupi I

KOSOVË-ZVICËR 2-2 (Muriqi 65′, 90+4′ / Freuler 14′, Rrahmani (aut) 79\)

90+4′ Goooooooooooool! Asist me thembër nga Meriton Korenica, shënon Vedat Muriqi. I dyti për bomberin dardan.

88′ Zvicra pranë golit të tretë, devijohet në këndore gjuajtja e Cedric Itten.

84′ Zëvendësohet Xherdan Shaqiri, largimi i të cilit nga fusha shoqërohet nga duartrokitjet e tifozëve shqiptarë.

79′ Kosova e pëson në momentin më të mirë. Autogol i Amir Rrahmanit, i cili devijon në portën e tij goditjen e Remo Freuler.

77′ Zbritje e shpejtë e Kosovës, por Edon Zhegrova nuk tregohet altruist, duke mos shfrytëzuar një mundësi të mirë.

 74′ Rrezik në portën dardane. Për fat të mirë, gjuajtja me kokë e Fabian Schar përfundon jashtë.

71′ Vedat Muriqi tenton një eurogol nga larg, e pasaktë goditja.

65′ Gooooool! Kosova barazon me Vedat Muriqin. I cili shfrytëzon një krosim të Milot Rashicës dhe ndez festën në “Fadil Vokrri”. 

60′ Ermal Krasniqi vepron bukur në krahun e majtë. Kroson dhe gjen Vedat Muriqin, i cili fiton duelin ajror me Manuel Akanjin, por nuk shënjestron siç duhet.

45′ Niset Vedat Muriqi, pason për Leart Paqaradën, por eviton rrezikun mbrojtësi. Aksioni nuk vlen për pozicion të parregullt të sulmuest të Mallorcas.

39′ Vedat Muriqi në tokë, te Kosova pretendojnë për penallti. Arbitri danez vazhdon lojën, duke e cilësuar të rregullt ndërhyrjen e Manuel Akanji.

36′ Pasiguri e Aro Muric pas goditjes së Edimilson Fernandes, topi në këndore.

33′ Goditje e Ricardo Rodriguez, pret Aro Muric.

27′ Kroson Leart Paqarada, Vadat Muriqi kërcen më lart se kundërshtarët. Topi përfundon jashtë.

25′ Aksion me shumë pasime nga Zvicra. Gjuan keq Zeki Amdouni.

18′ E majtë potente e Vedat Muriqit, grushton në këndore Yann Sommer.

16′ Milot Rashica i vetëm përballë Yann Sommer, aksioni nuk vlen për pozicion të parregullt të sulmuesit dardan.

14′ Zvicra në avantazh. Remo Freuler tund rrjetën e portës dardane pas asistit nga Edimilson Fernandes.

11′ Milot Rashica vë në provë Yann Sommer. Grushton portieri i Interit.

9′ Provon edhe Xherdan Shaqiri për helvetët, në gatishmëri Aro Muric.

5′ Zvicra jep “shkëndijën” e parë. Gjuan Edimilson Fernandes, pret pa probleme Aro Muric.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *