Ekspozita

Mungesa e hijes

“Mos u shpjegoni aspak në qoftë se doni të kuptoheni”. (Diderot)

Nga Edison Çeraj 

Më shumë sesa për të thënë apo për të trajtuar diçka, radhët e mëposhtme prekin shkurtimisht një shqetësim, i cili lidhet me një prirje do thosha tipike të kohës: reduktimi i veprës së artit thjesht në një koncept apo ide të caktuar, që në pjesën më të madhe të rasteve ka të bëjë me një aspekt të aktualitetit. Një prirje për ta shndërruar veprën në një gjë konkrete, në objekt që vuan nga mungesa e hijes; në një mall konsumi, që konsumohet shpejt dhe lehtë e që tretet po aq shpejt dhe lehtë, si të gjitha mallrat e tregut. Edhe vepra e artit mund dhe duhet të modifikohet gjenetikisht. Ndoshta kjo është një lloj rënieje e artit në realitet. Çështja është më e thellë nga sa duket, pasi rrënjët e saj i gjejmë te botëkuptimi “njeriu është masa e të gjitha gjërave” (Protagora), që do të thotë se çdo gjë duhet të zbresë në nivelin e njeriut, pra të arsyes. Kështu, çdo gjë që nuk rroket dot nga arsyeja, atëherë ose është e parëndësishme, për të cilën nuk kemi nevojë, ose nuk ekziston fare, dhe si e tillë duhet lënë pas. Sipas kësaj, na mjafton dhe duhet të na mjaftojë arsyeja/mendimi. Imagjinoni sesa absurde tingëllon në kontekstin e artit sot ajo thënia e De Chirico-s, ku thotë se “pikturat e mia i kupton vetëm një njeri në botë: ai jam unë”! Natyrisht që me termin “kuptim”, De Chirico nuk kishte për qëllim vetëm anën racionale të të kuptuarit, por edhe atë irracionale. E thënë ndryshe, e kishte fjalën më shumë për përjetimin, për atë të kuptuar që nuk e nxë gjuha/fjala, që mbetet një përvojë e brendshme, pasi ai po shënjonte krijimin si kryepërvojë. Por, tani sikur nuk ka më krijim; ka gjithnjë e më shumë ndërhyrje te produktet e gatshme të tregut ose tek ato kulturore (ready and made), duke i riqarkulluar ato nëpërmjet një kuptimi tjetër, dhe më e famshmja në këtë drejtim është Shatërvani (Fountain) i Duchamp-it. Ky kuptim “tjetër” i tyre është konkret, i kapshëm nga kushdo, mjafton të lexojë tekstin pranë veprës ose të pyesë autorin; siç bëjmë zakonisht në një supermarket kur duam të dimë për një produkt, duke lexuar të dhënat me të cilat shoqërohet.

Nuk ka mistere dhe nuk duhet të ketë. Çdo gjë ka një kuptim dhe duhet të ketë një të tillë, sepse çdo gjë duhet të ketë një funksion të caktuar, edhe vepra e artit, edhe vetë artisti (njeriu). “Me t’u përjashtuar e gjithë transcendenca, sendet janë thjesht ato që janë, dhe si të tilla janë të papërballueshme. Ato bëhen menjëherë dhe krejtësisht reale, pa hije, pa koment. Një gjigant i gatshëm” (Baudrillard), i cili nuk e ka ndërmend të bëjë asnjë pakt me ne. Në këtë kuptim vjen edhe titulli i kësaj ekspozite: No-thing – domethënë, asnjëra prej punëve nuk niset apriori nga një koncept apo ide e caktuar, por nga një akt i drejtpërdrejtë, i çastit. Secila prej tyre është një moment çinteresimi në drejtim të gjërave që më rrethojnë dhe ngacmimeve apo ndërhyrjeve ditore, dhe së këndejmi një përpjekje për një përvojë vertikale. E shoh që po bie në kurthin e trajtesës, kështu që po e lë me kaq.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button