Politika

Muri i Berlinit dhe Shqipëria 25 vjet më pas

Studiues të njohur në Tiranë komentuan në 25 vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit mbi ndikimin që ajo ngjarje pati në lindjen dhe zhvillimin e demokracisë shqiptare.

monumenti

Rrëzimi i Murit të Berlinit ishte një ngjarje e rëndësishme historike për Europën dhe për Shqipërinë, edhe pse vendi ishte i izoluar dhe lajmet e censuruara. “Situata ishte e mbarsur për ndryshime, edhe pse klasa drejtuese e kohës po thoshte se Shqipëria nuk ishte as Lindje as Perëndim” – thotë Aleks Luarasi, profesor i njohur juridiksionit shqiptar. Sipas tij, pushteti komunist bëri disa ndryshime kozmetike në fillim të vitit 1990, por në dhjetor u ngritën studentët dhe u krijua Partia Demokratike.

Rrëzimi i Murit të Berlinit ndryshoi gjithë botën ish komuniste. Skënder Minxhozi, kryeredaktor i revistës JAVA thotë se valët sizmike të atij rrëzimi arritën deri në skajet më të largëta të perandorisë komuniste. Sipas tij, ndryshimet në Shqipëri erdhën me vonesë, qarqet universitare zienin dhe kriza ekonomike precipitoi ndryshimet politike, kur pritshmëria ishte shumë e lartë.

Sipas studiuesit Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike, rrëzimi i Murit të Berlinit ndikoi shumë më tepër në vendet e tjera se sa në Shqipëri. “Lajmi dhe domethënia e Murit ishte vetëm për elitat politike të asaj periudhe. As në takimin me intelektualët dhe as në deklarata të tjera nuk përmendet fare muri i berlinit. Muri doli vetëm kur nisi lëvizja studentore” – tha ai.

Studiuesit janë të një mendimi se në vitin 1990 askush nuk i përfytyronte këto afate kaq të gjata dhe tranzicionin e lodhshëm 25 vjeçar. “Shqipëria u anëtarësua në NATO, është kandidat për në BE, vizat u hoqën dhe Kosova u çlirua, por shqiptarët – thotë prof. Luarasi, donin një zhvillim më të shpejtë të vendit të tyre”.

Analistët pohojnë se për një çerek shekulli vazhdon tranzicioni dhe vendi nuk ka qëndrueshmëri politike, ngjarjet janë me kosto të lartë dhe klasa politike është e pazhvilluar.

Shqipërisë iu deshën dy dekada të kryente zgjedhje demokratike dhe rotacione normale pushteti. Zoti Krasniqi thotë se kjo është prova e paaftësisë së grupeve politike. “Shqipëria u mundua të bënte demokracinë pa demokratë, – thotë ai, – duke eksperimentuar me vetë modelin e demokracisë, prandaj edhe tranzicioni është aq i gjatë”.

Shqiptarët dhe ndërkombëtarët u kërkojnë partive vetëm bashkëpunim dhe mirëkuptim, por sipas studiuesve, ata nuk e kryejnë këtë porosi, edhe pse shumë herë kanë premtuar.

Klasa politike duhet të rinovojë veten, pohojnë analistët, jo të hyjnë të rinj nga mosha, sepse në politikën shqiptare ka shumë të rinj me mentalitete të vjetra. Sipas zotit Minxhozi, klasa politike ka ndryshuar shumë pak, me korrupsionin, makutërinë, klanet dhe lojën e pisët politike, madje vendi është ende në vitet 90 për nga nevojat demokratike.

Studiuesit besojnë se politikanët shqiptarë nuk qeverisin, por fitojnë me votat e periferive të painformuara, duke mbajtur gjallë mendësitë e vjetra. Zoti Krasniqi thotë se qytetarët nuk përfaqësohen sepse politikanët dhe deputetët emërohen si gjithë zyrtarët e tjerë nga disa udhëheqës politikë; ja pse procesi europian i Shqipërisë është i vonuar.

Sipas studiuesve, vendi ka nevojë të ngutshme për kompromis dhe jo bojkot, bashkëpunim dhe jo urrejtje, demokraci dhe zbatim ligji. Ata pohojnë se shpresa e vetme për këtë janë politikanët e rinj, ata që lindën kur u rrëzua Muri i Berlinit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button