Kosova

Mustafa në Nju-Jork, merr pjesë në samitin e Iniciativës Globale Clinton

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron në Nju-Jork, ku sot ka marrë pjesë në samitin “Partneriteti për Prosperitet Global”, të Iniciativës Globale Clinton, e cila u hap nga Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Mustafa mori pjesë në pritjen zyrtare si dhe në hapjen e punimeve të takimit të sivjetshëm, ku ishin të pranishëm liderë të shteteve, përfaqësues të ekonomisë, filantropë dhe drejtues të organizatave jo qeveritare nga mbarë bota, bën të ditur një komunikatë nga Kryeministria.

Gjatë pjesëmarrjes në këtë samit, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka takuar drejtues të shteteve të botës, të organizatave ndërkombëtare e të shoqërisë civile.

Kryeministri Mustafa u takua me Presidentin Clinton, ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright, me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentin e Sri Lankës, Presidentin e Malavit dhe shumë personalitete të tjera të botës, njofton komunikata.

Më pas, kryeministri ka zhvilluar një takim të ndarë me homologun e tij nga Samoa, Tuilaepa Malielegaoi. Gjatë takimit, Mustafa e ka njoftuar për progresin e arritur në Kosovë, në të gjitha fushat.

“Pasi e falënderoi për njohjen dhe përkrahjen e deritashme, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e Samoas për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë përmbylljen e procesit të njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi vullnetin e Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Samoan dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral”, bën të ditur komunikata.

Gjatë ditës, Mustafa pritet të takojë edhe drejtuesit e Bashkimit Evropian, kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues të USAID-it.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button