Kronika

Naço: Zgjerohet rrethi i personave që përfitojnë ndihmë juridike

nasip-naco-ibna-565x492Projektligji “ “Për ndihmën juridike”

Gjatë seancës së sotme kuvendore, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço prezantoi pr/ligjin për “Ndihmën Juridike”, ku në thelbë është zgjerimi i rrethit të personave që përfitojnë nga ligji në fjalë.

“Qëllimi i këtij projektligji është rritja e transparencës, efikasitetit, objektivitetit dhe besueshmërisë në sistemin e ofrimit të ndihmës juridike”, tha Naço, i cili sqaroj se ndërhyrja në legjislacion erdhi si nevojë e progres raportit të vitit 2013 në pjesën e aksesit në drejtësi, ku funksionimi i legjislacioni për dhënien e ndihmës juridike evidentohej të kishte funksionuar me hapa të ngadalta.

Kreu i drejtësisë shqiptare sqaroi se në mënyrë që të gjitha gjetjet e praktikës së deritanishme të përmirësoheshin, u përgatit një draft, duke i kushtuar rëndësi fillimisht sqarimit të plotë të termave të parashikuar në ligjin bazë nr.10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën Juridike”, i ndryshuar, duke parashikuar një specifikim të qartë të termave të  tilla si “ndihma juridike”, “mjete të mjaftueshme” dhe “subjekte të përfshirë në programet e mbrojtjes shoqërore”.

“Nëpërmjet kësaj ndërhyrje ligjore, qartësohet që kriteri financiar për dhënien e ndihmës juridike dytësore duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e aplikuesit. Për rrjedhojë, është sqaruar më së miri se cfarë do të kuptojmë me termin “Mjete të mjaftueshme”,  që sipas projektligjit janë të ardhurat mujore të kërkuesit, që nuk e kalojnë vlerën e pagës minimale të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave”, theksoi Ministri Naço.

Me qëllim evidentimin dhe më të qartë të personave që legjitimohen për të përfituar ndihmën juridike, projektligji parashikon edhe përkufizimin e termit të “Ndihmës Juridike”, e cila në kuptim të këtij ligji jepet: Për shtetasit shqiptarë me vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë,  shtetasit e huaj të pajisur me leje qëndrimi,  për shtetasit e huaj që e përfitojnë atë mbi bazën e parimit të reciprocitetit,  si dhe personat pa shtetësi të pajisur me leje qëndrimi.

Projektligji, tha Naço, është dërguar për mendim dhe është konsultuar me Ministrisë e Integrimit Evropian, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike, Misionin EURALIUS dhe Misionin OPDAT

Sakaq, me ndryshimet e bëra në këtë ligj janë shtuar si subjekt përfitues i ndihmës juridike edhe viktimat e dhunës në familje ose viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, për çështje gjyqësore që lidhen me to.

Në ligjin e ndryshuar përcaktohet se kërkesa për dhënien e ndihmës juridike për personat që janë viktimë e dhunës në familje ose viktimë e trafikimit njerëzor, për çështjet gjyqësore që lidhen me to, paraqitet personalisht nga kërkuesi apo përfaqësuesi i tij i autorizuar me prokurë.

Ndryshimet ligjore parashikojnë që të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e kanë dhe personat, që kanë nevojë për këtë ndihmë në çështje civile ose administrative, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar atë, apo kur çështjet janë komplekse nga përmbajtja dhe procedura.
Në mënyrë që subjekti të përfitojë ndihmën juridike, ai duhet të vërtetojë se përfshihet në programet e mbrojtjes sociale ose plotëson kushtet për t’u përfshirë në to. Gjithashtu, kriteri financiar për dhënien e ndihmës juridike dytësore duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e aplikuesit.

Nga ndryshimi i ligjit “Për ndihmën juridike” përfitojnë dhe shtetasit e huaj me vendbanim në territorin shqiptar dhe të pajisur me leje qëndrimi ose dhe personat pa shtetësi, por të pajisur me leje qëndrimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button