Nagavci u bën thirrje bizneseve të mos arsyetojnë çdo shtrenjtim me krizat ndërkombëtare
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje bizneseve që të mos i përdorin krizat ndërkombëtare si arsyetim për çdo rritje të çmimeve në Kosovë.
Në seancën e sotme të Kuvendit, Nagavci tha se zhvillimet ndërkombëtare kanë ndikim të konsiderueshëm në ekonominë e vendit, por theksoi se duhet të bëhet dallimi mes shtrenjtimit që vjen si pasojë e rritjes së kostove të furnizimit dhe atij që mund të jetë abuziv.
Ajo kërkoi transparencë në përcaktimin e çmimeve, duke theksuar se duhet të identifikohet se cilat produkte janë shtrenjtuar për shkak të kostos së importit apo lëndës së parë dhe cilat mund të jenë subjekt i abuzimeve tregtare.
“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë. Por ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet se cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit apo lëndës së parë dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive”, theksoi Nagavci.
Ajo u bëri thirrje edhe Qeverisë që gjatë muajve në vijim të shtojë mbikëqyrjen e çmimeve në treg.
Nagavci tutje kërkoi që të përcillen çmimet e produkteve bazë nga momenti i importit deri te shitja te konsumatori, të kontrollohen marzhet tregtare dhe të hetohen dyshimet për marrëveshje mes tregtarëve që mund të kufizojnë konkurrencën.
“I bëjmë thirrje Qeverisë që të nisë mbikëqyrjen e shtuar të çmimeve në këta muaj. Të përcillen çmimet e produkteve themelore nga importi deri te shitja te konsumatori. Të kontrollohen marzhet tregtare dhe të hetohet çdo dyshim për marrëveshje mes tregtarëve që kufizojnë konkurrencën. Ligji për çmimin tavan është miratuar dhe puna për funksionalizimin e tij ka filluar”, tha ajo. /Kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.