Kryeartikull

Narrativa e një fushate të lodhur

Nga Ilir Yzeiri

Nëse do të llogaritnim gjithë prononcimet e aktorëve politikë të kësaj fushate, nëse do të studionim posterat e tyre dhe nëse do të llogaritnim gjithashtu edhe reagimin e publikut, do të na përftohej një tekst i cili mund të interpretohet në disa mënyra.

Ajo që bie në sy edhe këtë radhë është zotërimi i dy poleve politike. Është futur në skenë një aktor i ri në Tiranë, përkatësisht Gjergj Bojaxhiu, një ish-zyrtar i lartë i qeverisë së PD-së, por profili i tij më shumë po bëhet tërheqës për spektaklin që po prodhon në fushatë sesa për profilin e tij si administrator. E vetmja forcë politike, përveç dy të mëdhave, është edhe PSD-ja e Skënder Gjinushit, e cila në Fier duket se ka një mbështetje që ajo e llogarit si të efektshme për rezultatin që mund të prodhojë. Ky tekst i kësaj fushate ngjan si i shkruar nga autorë të lodhur, sepse në shumë raste jo vetëm që mungon risia në formulimet e programeve, por aktorët janë të vjetër dhe ligji i favorizon që të zgjidhen në disa mandate.

Bashkiakë apo
pronarë vilajetesh

Ligji i ri për ndarjen territoriale e ka shtuar hapësirën territoriale të shumë njësive të mëdha vendore, por nuk ka ndryshuar ligjin për të zgjedhurit vendorë. Është e pakuptimtë se përse nuk kufizohet mandati i të zgjedhurve vendorë. Të zgjedhurit vendorë në Shqipëri, për shkak të ligjit të administrimit vendor, në shumë pak raste mund të shfaqin performancën e tyre. Deri tani, bashkitë apo komunat e Shqipërisë kanë qenë tepër të centralizuara në përfitimin e fondeve dhe në qoftë se Shkodra fjala vjen ka përfituar fonde në një periudhë të caktuar, kjo ka ndodhur se ka dashur qeveria, ashtu sikundër një qytet tjetër mund të jetë penalizuar se ashtu ka dashur qeveria. Ligji i ri i administrimit vendor pritet që të jetë një sfidë e vërtetë për të zgjedhurit e rinj, por deri tani ne ende nuk e dimë se çfarë fuqie do të kenë këta pronarë vilajetesh siç quhen tani me ironi disa bashkiakë të njësive vendore të mëdha. Po sjell ndonjë shembull. Prej shumë vjetësh, Elbasani po vuan nga mungesa e një landfilli për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane, ashtu siç vuan po të njëjtën ndotje nga Metalurgjiku për shkak të mosrespektimit të protokolleve të vënies në punë të filtrave të thithjes së tymrave. Këto dy probleme madhore të pazgjidhura e zhvlerësojnë çdo performancë të asaj bashkie. Edhe investimet e fundit u bënë me dashjen e qeverisë. Realisht lind pyetja, po qeverisja vendore çfarë roli ka dhe çfarë pune mund të bëjë? Kjo varësi e ngushtë e qeverisjes vendore me qeverisjen qendrore i ka bërë bashkiakët jo autoritete të pushtetit vendor, por zgjatime të qeverisë qendrore dhe performanca e tyre nuk ka rast të shfaqet ashtu siç duhet. Ndaj edhe kandidimi i tyre për herë të tretë apo të katërt e ka bërë të lodhshme këtë fushatë.

Utopia e qytetit
dhe mungesa e njeriut

Me të drejtë, kolegu im, Jani Duri, (skenarist i “Portokallisë” bashkë me Vangjel Kozmain), më thoshte këto ditë se kësaj fushate i mungon njeriu. Të gjithë flasin për qytetin, por për një qytet abstrakt të cilin duket sikur e mendojnë pa njerëz. Në fakt, problemi më i madh i qyteteve tona është raporti i tij me njeriun. Qyteti është një tërësi banesash, rrugësh, institucionesh, makinash, kafshësh dhe njerëzish. Qytetet tona janë në pjesën e tyre më të madhe një përzierje e zhurmshme e të gjitha këtyre elementeve. Për fat të keq, komunizmi i masakroi qytetet tona, sepse ai u dha atyre pamjen e fjetoreve ushtarake dhe u hoqi anën estetike. Në emër të parimit kriminal të kursimit dhe të sakrificës apo edhe të përgatitjes për luftë, qytetet tona u populluan nga fjetore të mëdha, por që për shumë arsye, mbaheshin relativisht pastër, për shkak edhe se qyteti konsumonte pak. Qytetet tona, me përjashtime të dukshme e kanë rrafshuar kujtesën. Dhe tani njeriu shqiptar postmodern ka hedhur mbi qytetin e tij të gjitha mjetet dhe betonin e munguar në mënyrë që të shijojë lirinë individuale, egoiste dhe të shkatërrojë sa të mundet stofin shoqëror atë që na përket të gjithëve. Ka shumë gjëra që duhen rregulluar në qytetet tona, por unë do veçoja një.

Pluhuri dhe balta

Që në ngjizje të tij, qyteti lindor dallonte nga ai perëndimor, sepse qyteti lindor nuk ndahet nga dheu apo nga balta me asfalt, me kalldrëm apo me bar, por është i zhytur në dhe. Tirana ndotjen më të madhe e ka nga pluhuri dhe grimcat e tij. Mund të bëhen shumë premtime për qytetin, por unë do të doja një premtim solemn nga të gjithë kandidatët. Ky premtim të ishte – ndarja përfundimtare me baltën dhe pluhurin. Pra, në çdo bllok banimi të bëhej e mundur që të asfaltohej çdo rrugë apo rrugicë dhe qyteti të ketë vetëm bar, asfalt dhe kalldrëm. Kush ka udhëtuar jashtë e ka vënë re këtë gjë. Ai që ka udhëtuar jashtë ka vënë re këtë, por ka parë se edhe qytetet tona të vjetra si Berati. Korça, Gjirokastra, Shkodra e ndonjë tjetër, në pjesën e tyre të vjetër, janë ndërtuar me parimin e ndarjes me dheun dhe me baltën. Për fat të keq, komunizmi e futi këtë traditë të zhytjes në baltë dhe në atë kohë njerëzit futeshin në banesë edhe pa mbaruar akoma, edhe kur banesa ndodhej në mes të ndonjë toke të zhytur në pluhur e në baltë. Sot kësaj ndotjeje i janë shtuar makinat, të cilat janë bërë agresive dhe po fitojnë të drejta më shumë se njerëzit. Ndaj do të doja një qytet që të kishte më shumë njerëz nëpër rrugë dhe më pak makina e pluhur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button