NATO, ministrat e Mbrojtjes bien dakord për 4 batalionet në Lindje
Me synimin për t’i dhënë Moskës mesazhin e qartë se, “nëse njëri prej aleatëve tanë sulmohet, e gjithë aleanca do të përgjigjet si një e vetme”, shefi i NATO-s tha gjatë kësaj të marte se aleanca ushtarake atlantiko-veriore do të përforcojë mbrojtjen kundër Rusisë, nga deti Baltik deri në detin e Zi.
Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, deklaroi në një konferencë për shtyp se ministrat e Mbrojtjes së aleancës ranë dakord për dërgimin e 4 batalioneve me forca shumëkombëshe, mbi baza alternimi, në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Ai shtoi gjithashtu se ministrat u rakorduan gjithashtu edhe për “masat e përshtatshme” për të siguruar “mbrojtjen dhe parandalimin” në rajonin e detit të Zi, përfshi këtu magazinimin paraprak të pajisjeve dhe furnizimeve.
“NATO është një aleancë që shpërndan”, deklaroi Stoltenberg.
Më herët gjatë ditës së sotme, ministrat e Mbrojtjes nisën ditën e parë të takimeve dyditore në selinë e NATO-s, teksa sekretari i Përgjithshëm e quajti “mbrojtjen e territorit tonë dhe të popujve tanë”, si objektivin parësor të aleancës.
Takimet e ministrave po bëhen për të vendosur bazat e Samitit të NATO-s gjatë muajit të ardhshëm, më 8 dhe 9 korrik, në Varshavë të Polonisë. Këtë të martë dhe ditën e nesërme, ministrat pritet të bien dakord gjithashtu për të bashkëpunuar më nga afër me Bashkimin Europian sa i përket çështjeve të sigurisë, duke diskutuar mbi përmirësimin e mbrojtjes kibernetike të NATO-s, shpërndarjen e informacioneve të shërbimeve sekrete dhe vendimmarrjen përballë sfidave aktuale, por do të takohen edhe me ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës.
Pa zbuluar detaje, Stoltenberg tha se “do të përcaktojmë kornizën sesi do të përballemi me kërcënimet dhe sfidat nga Jugu”, duke nënkuptuar ekstremizmin e dhunshëm islamik që po përhapet me shpejtësi në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
SHBA-të, Britania dhe Gjermania janë angazhuar tashmë për udhëheqjen e 3 prej 4 batalioneve, të cilat do të dërgohen në Poloni, Estoni, Letoni dhe Lituani. Një zyrtar amerikan tha se udhëheqësit kanadezë janë duke u takuar së fundi për të diskutuar mbi mundësinë e udhëheqjes së batalionit të katërt.
Zyrtarë amerikanë thanë gjithashtu se ende nuk është e qartë nëse Pentagoni do të përdorë trupat, që gjenden aktualisht të dislokuara në Europë, për të formuar batalionin e drejtuar prej tyre, apo do të sjellin forca të reja. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter tha për reporterët gjatë ditës së hënë se, SHBA-të mund të kontribuojnë me shumicën ose të gjithë trupat e nevojshëm për këtë njësi, e bëhet fjalë për 800-1.000 trupa.
Sipas Sekretarit britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon, në fillim të vitit 2017 Britania do të dërgojë një prej këtyre batalioneve. “Bëhet fjalë për një personel prej rreth 500 forcash britanike, mbi baza rotacioni”, tha Fallon. Ndër vendet e tjera kontribuuese do të jetë edhe Franca.
Stoltenberg, për më tepër, tha se ministrat e Mbrojtjes diskutuan edhe për krijimin e një brigade ndërkombëtare të udhëhequr prej rumunëve, të përbërë nga forca tokësore, për të ndihmuar në mbrojtjen e zonës së detit të Zi.