Bota

Navalny do lirohej në një shkëmbim të burgosurish pak para se të vdiste

Alexei Navalny ishte gati për t’u liruar në një shkëmbim të burgosurish kur vdiq në burg. Kolegia e tij Maria Pevchikh tha se lideri i opozitës ruse do të shkëmbehej me Vadim Krasikov, një vrasës rus me pagesë që vuan dënimin e përjetshëm për vrasje në Gjermani. Dy shtetas amerikanë të mbajtur në Rusi do të ishin gjithashtu pjesë e marrëveshjes, pohoi zonja Pevchikh.

Megjithatë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për “Financial Times” se ai “nuk ishte në dijeni të marrëveshjeve të tilla”. BBC News thotë se nuk ka parë asnjë provë që mbështet pretendimet e Pevchikh dhe nuk është në gjendje t’i verifikojë ato në mënyrë të pavarur. Pevchikh tha se negociatat kishin qenë në fazën e tyre përfundimtare më 15 shkurt.

Navalny vdiq më 16 shkurt në qelinë e tij në koloninë e burgut në Siberi, ku po vuante dënimin me 19 vjet burg për akuza që shiheshin gjerësisht si të motivuara politikisht. Zyrtarët e burgut thanë se 47-vjeçari ishte sëmurur pas një shëtitjeje. Në një video të postuar në kanalin e Navalny në YouTube, Pevchikh, e cila është kryetare e Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit pretendoi se negociatat për një shkëmbim të të burgosurve ishin duke u zhvilluar prej 2 vitesh.

Ajo shtoi se, pas fillimit të pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022, “ishte e qartë se Putini nuk do të ndalej para asgjëje” dhe se Navalny “duhej të lirohej nga burgu me çdo kusht dhe urgjentisht”. Sipas zonjës Pevchik, Navalny do të lirohej nën një shkëmbim humanitar dhe zyrtarë amerikanë dhe gjermanë u përfshinë në bisedime. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha të hënën se ata ishin në dijeni të raporteve për një shkëmbim të planifikuar të të burgosurve, por refuzoi të komentonte më tej.

Pevchikh tha se një plan për shkëmbimin e të burgosurve u arrit më në fund në dhjetor. Ajo tha se Vadim Krasikov, një rus i cili u shpall fajtor pasi qëlloi në kokë ish-komandantin rebel çeçen Zelimkhan Khangoshvili nga një distancë e afërt në Gjermani në vitin 2019, do të ishte pjesë e marrëveshjes. Dy shtetas amerikanë të mbajtur aktualisht në Rusi do të shkëmbeheshin gjithashtu, tha Pevchikh. Disa shtetas amerikanë po mbahen aktualisht në burgjet ruse dhe Pevchikh nuk specifikoi se kush do të kishte qenë pjesë e shkëmbimit të supozuar.

Në shkurt, presidenti rus Vladimir Putin i tha prezantuesit amerikan Tucker Carlson se bisedimet me SHBA ishin në vazhdim për lirimin e gazetarit amerikan Evan Gershkovich, i cili po mbahet nën akuzat për spiunazh. Putin la të kuptohet se, në këmbim, Rusia do të pranonte një person që “për shkak të ndjenjave patriotike, eliminoi një bandit në një nga kryeqytetet evropiane… gjatë ngjarjeve në Kaukaz” duke iu referuar Krasikov.

Pevchikh pretendoi se Putin ndryshoi mendje për marrëveshjen në minutën e fundit, duke thënë se presidenti rus “nuk mund të toleronte që Navalny të ishte i lirë”. Është e paqartë pse zoti Putin mund të ketë rënë dakord për të shkëmbyer Navalny me të burgosur të tjerë.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov ka thënë më parë se akuzat për përfshirje të qeverisë në vdekjen e Navalny ishin “absurde”. Autoritetet fillimisht refuzuan t’ia dorëzonin trupin e Navalny nënës së tij, vetëm tetë ditë pas vdekjes së tij. E veja e Navalny, Yulia, ka thënë se ai u vra me urdhër të Putin. Kremlini i ka mohuar këto akuza, duke e quajtur reagimin perëndimor ndaj vdekjes “histerike”.

Të hënën, zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmish postoi një mesazh në mediat sociale duke thënë se aleatët e tij po kërkonin një vend ku mbështetësit mund të mbanin një lamtumirë publike më vonë këtë javë. Një ngjarje e tillë pritet të monitorohet nga afër nga autoritetet ose nuk do të lejohet fare. Një grup i të drejtave të njeriut tha se 400 rusë u arrestuan në të gjithë vendin për vendosjen e homazheve me lule për Navalny pas vdekjes së tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button