Ndahet nga jeta diplomati Bashkim Zeneli, Peleshi: Kontribuoi për forcimin e miqësisë me fqinjët dhe partnerët e Shqipërisë
Diplomati, politikani, gazetari dhe publicist i njohur shqiptar Bashkim Zeneili është ndarë sot nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Zeneli ka pasur një karrierë të gjatë në shërbim të diplomacisë dhe politikës shqiptare. Ai ka përfaqësuar Shqipërinë si ambasador në Gjermani dhe Greqi.
Gjatë karrierës së tij, Zeneli ka qenë gjithashtu deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Këshillit Politik të Partisë Socialiste. Ai është angazhuar edhe në gazetari e publicistikë, duke kontribuar me shkrime, analiza dhe botime mbi zhvillimet politike e diplomatike.
Në vitin 2018, Presidenti Ilir Meta, e dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh”, në vlerësim të kontributit të tij në politikën e jashtme, gazetari, publicistikë dhe përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë.
Zeneli ishte edhe autor i disa librave me kujtime dhe analiza diplomatike, mes tyre “Për Gjermaninë” dhe “Miqësi e trazuar”, ku trajtoi përvojën e tij në diplomaci dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u ka shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të diplomatit Zeneli.
“I trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Bashkim Zenelit, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, diplomat dhe publicist, intelektual i radhëve të hershme në Partinë Socialiste, i cili i kushtoi një jetë të gjatë shërbimit publik. Me kontributin politik, veprimtarinë parlamentare dhe në detyrën e ambasadorit në Gjermani e Greqi, Bashkim Zeneli dha një kontribut të çmuar për vendin dhe për forcimin e miqësisë me fqinjët dhe partnerët e Shqipërisë. Me shkrimet dhe kujtimet e tij, ai la gjithashtu një dëshmi të vyer për historinë e diplomacisë shqiptare”, u shpreh kryeparlamentari Peleshi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.