Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare akademik Luan Omari
Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë se sot u nda nga jeta në moshën 101-vjeçare akademik Luan Omari, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish-sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj.
Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri.
Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike e të Shtetit të së Drejtës.
Akademik Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke shërbyer si një nga juristët më të përgatitur të vendit.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe i së Drejtës Publike në këtë Universitet.
Përtej kufijve të Shqipërisë, profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese, si një figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe europian.
Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri, të drejtën Publike e atë Kushtetuese, si dhe mbi sistemin juridik shqiptar.
Omari ka marrë pjesë në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90. Ai ka formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në jetën juridike dhe akademike të vendit.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.
Ndërsa, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e nderoi me Çmimin e Karrierës Akademike, në vitin 2016.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje.
Nderimet për akademik Luan Omarin do të zhvillohen nesër, 30 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në orën 10:00 do të mbahet Akademi Solemne në sallën “Aleks Buda”, në orën 11:00-13:00 do të kryhen homazhet dhe në orën 13:00 kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi do të mbajë fjalën e lamtumirës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.