Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare Vladimir Uglev, shkencëtari i përfshirë në zhvillimin e agjentit nervor Novichok
Vladimir Uglev, një nga shkencëtarët e përfshirë në zhvillimin e familjes së agjentëve nervorë Novichok, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga media investigative ruse The Insider, e cila raportoi se Uglev ka vdekur më 26 tetor, në qytetin turistik të Anapës, në jug të Rusisë, ku jetonte vitet e fundit.
Uglev ishte një nga figurat e njohura të programit sovjetik të zhvillimit të armëve kimike dhe emri i tij mori vëmendje të gjerë ndërkombëtare në vitin 2018, pas helmimit të Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Anglisë.
Pas këtij incidenti, biokimisti dha një sërë intervistash për mediat, duke folur mbi karakteristikat dhe vetitë e agjentit nervor Novichok. Ai u prononcua gjithashtu gjerësisht në vitin 2020, kur lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, u helmua me një substancë të kësaj familjeje.
Vitet e fundit, Uglev kishte bashkëpunuar edhe me median investigative The Insider, duke shërbyer si këshillues në hetimet mbi përdorimin e agjentëve nervorë Novichok nga shërbimet ruse të sigurisë. Ndër to ishte edhe një hetim i përbashkët i The Insider dhe Bellingcat, në vitin 2020, mbi prodhimin e Novichok në Rusi.
Hetuesi i The Insider, Christo Grozev, reagoi për ndarjen e tij nga jeta përmes një postimi në rrjetin social X, ku theksoi se, pavarësisht përfshirjes së tij në zhvillimin e kësaj substance, Uglev ishte bërë në vitet e mëvonshme një kritik i hapur i përdorimit të saj kundër civilëve. Sipas Grozev, ai kishte kundërshtuar publikisht edhe mohimet e Kremlinit lidhur me çështjet Skripal dhe Navalny.
Vladimir Uglev lindi më 20 shtator 1946 në Kirovsk të Rusisë. Në vitin 1975 u diplomua në Institutin e Teknologjisë Kimike Dmitry Mendeleev në Moskë, në degën e kimisë dhe teknologjisë së substancave biologjikisht aktive.
Nga viti 1975 deri në vitin 1990, ai punoi si studiues i lartë në degën Volsk të Institutit Shtetëror të Kërkimeve Shkencore të Kimisë dhe Teknologjisë Organike (GosNIIOKhT), institucion i përfshirë në zhvillimin e agjentëve kimikë të luftës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.