Ndarja e re, opozita “rrëzon” dy variantet, diskutimi me PS nis me skemën e pestë
Harta me 63 njësi vendore, më i pëlqyeshmi. Kërkohet ligji i decentralizimit
Opozita “rrëzon” dy variantet e miratuara nga komisioni i posaçëm parlamentar mbi ndarjen territoriale, me 39 dhe 47 bashki të reja. Depozitimi i rezolutës së konventës së të zgjedhurve të djathtë, i ka hapur rrugë gjetjes së një dialogu mes mazhorancës dhe opozitës për reformën territoriale. Sipas burimeve pranë gazetës “Shqip”, opozita ka gati variantin me 100 bashki, porse paraqitja e një varianti të tillë do të realizohet në momentin kur do të nisin kontaktet për gjetjen e një konsensusi mes palëve. Burime kanë bërë të ditur se dy variantet e miratuara nga komisioni i posaçëm cilësohen si të papranueshme dhe si pasojë do të tentohet të nisë një diskutim mbi bazën e skemave të tjera të paraqitura nga ana e qeverisë. Sipas burimeve, mësohet se varianti me 63 njësi vendore mund të shërbejë si bazë për nisjen e konsultave mes opozitës dhe mazhorancës. Varianti me 63 njësi duket se është i pëlqyeshmi për PD-në, porse synimi i tyre është të arrihet nga 88 deri në 100 bashki.
Divergjencat
Në konferencën me të zgjedhurit vendorë janë bërë prezente divergjencat me mazhorancën për çështjen e reformës territoriale, ku kryesorja është mungesa e ligjit për decentralizimin e pushtetit vendor. Për këtë çështje, qeveria dhe kryekomisioneri socialist, Bashkim Fino, ka deklaruar se ligji i ri do të miratohet në shtator, duke kërkuar fillimisht miratimin e numrit të njësive të reja vendore në muajin korrik. PD-ja synon që më parë të kalojë ligjin për autonominë financiare të njësive të reja e më pas të realizohet ndarja e bashkive. Opozita po synon të hedhë një variant që synon të shkojë nga 88 deri në 100 bashki. E kjo, me llogaritje të densitetit nga 25 mijë-30 mijë banorë për kilometër katrorë. Ndërsa një tjetër çështje është ajo e qarqeve, pasi akoma nuk është vendosur sesa do të jetë numri i tyre në shkallë vendi.
Bylykbashi
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, në një prononcim për mediat u shpreh dje, se reforma territoriale nuk është pikturimi i dy hartave, duke parashtruar idenë e bërjes së ligjit për decentralizimin. “Reforma territoriale nuk është një libër vizatimi që mund të bëhet me të shpejtë. Është një nga reformat më themelore që mund të bëhet nga një shtet. Kjo është një hartë që ndryshon skemën elektorale për vitin 2015”, deklaroi për “ABC News”, Bylykbashi. Ai i mëshoi idesë se me këtë reformë territoriale duhet të vendoset mbi të gjitha dhe për zonat zgjedhore, pasi nëse sot ka 89 zona, ato do të ndryshojnë dhe do të shkojnë në një numër më të pakët. Në të njëjtën kohë e pazgjidhur për PD-në mbetet çështja e qarqeve, se sa do të jetë në të ardhmen, pasi ulja e tyre do të sjellë në të njëjtën kohë dhe ndryshim të numrit të deputetëve të Kuvendit, të cilët përcaktohet sipas një ligji dhe numrit të popullsisë. Opozita shprehet se kjo është arsyeja se pse nuk është paraqitur një hartë me variant përfundimtar, pasi duhet të diskutohet mbi ligjin e decentralizimit më parë dhemë pas për fatin që do të kenë qarqet. Qëndrimi i Bylykbashit erdhi për shkak të reagimit të kryekomisionerit socialist Bashkim Fino, i cili u shpreh se ishte i zhgënjyer nga mosparaqitja e hartës nga opozita pas takimit të konventës me të zgjedhurit vendorë. Fino shprehu vendosmërinë e mazhorancës që harta të miratohej më 31 korrik, duke lënë shtegun e hapur për ligjin e decentralizimit për në sesionin e vjeshtës në Kuvend. “Nuk ka kohë fizike nga sot deri më 31 korrik që të bëhet një ligj kaq i shpejtë e i rëndësishëm. Unë jam që këto opsione për reformën territoriale t’i miratojmë brenda këtij sesioni parlamentar dhe në sesionin e ri jemi gati të diskutojmë për ligjin e decentralizimit të pushtetit vendor, që do të kalojë brenda vitit dhe shtator-tetorit të kësaj vjeshte. Ne nuk kemi asnjë afat shtyrjeje”, deklaroi Fino. Deri më 31 korrik, mazhoranca dhe opozita do të kenë mundësinë për gjetjen e një konsensusi për numrin e ri të bashkive në shkallë vendi. Njëanshmëria e këtij procesi mund të sjellë dhe do të sjellë një përplasje në referendum në popull.
5 variante
Qeveria paraqiti në komisionin e posaçëm parlamentar pesë variante për hartën territoriale, të cilat u bënë objekt debati
39 bashki
Deputetët e mazhorancës pranojnë variantin me 39 bashki, por duke realizuar shtim të numrit të bashkive, duke pëlqyer dhe atë me 47
47 bashki
Një ndër variantet e miratuara nga komisioni i posaçëm parlamentar është ai që parashikon një Shqipëri me 47 njësi
100 njësi
Opozita në bashkëpunim me shoqatat e njësive të qeverisjes vendore me përfaqësues të PD-së, ka gati një projekt që propozon me 100 njësi
Irlanda
Çuçi: Pikënisja e dialogut është harta
Ministri i Shtetit për Çështjet e Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi, deklaroi në Dublin se mazhoranca është e hapur për propozimet e opozitës për reformën territoriale, por ajo si pikënisje ka hartën. “Harta është pikënisja dhe aty duhet të nisemi, me konsolidimin e pushtetit vendor që të thithë më shumë kompetenca nga qeverisja qendrore. Të ngremë strukturat e duhura që reforma të ketë gravitetin e duhur dhe të shërbejë për qëllime sa më të mira në sasi dhe cilësi për komunitetin. Ne u themi se reforma nuk mbaron me bërjen e hartës, por ajo është pikënisja”, deklaroi Çuçi. Ministri Çuçi dhe një delegacion i gjerë qeveritar e parlamentar ishin në Irlandë për të marrë përvojën e këtij vendi në reformën e territorit.