Ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve, tekniku Foda: Do të japim maksimumin në këto katër ndeshje!
Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda ka folur sot në konferencë për media para katër ndeshjeve të radhës në Ligën e Kombeve, kundër Irlandës (më 24 shtator), Austrisë (më 27 shtator), Izraelit (më 1 tetor) dhe sërish Austrisë (më 4 tetor).
Foda tha se skuadra do të përgatitet maksimalisht për sfidat që e presin, duke theksuar se synimi i tij dhe i futbollistëve është që në çdo ndeshje të kërkohet fitorja.
“Mezi i presim këto ndeshje dhe do të përgatitemi maksimalisht. Në çdo ndeshje hyjmë me dëshirën dhe synimin për të fituar”, tha Foda.
Ai u ndal edhe te mungesat në skuadër, duke përmendur lëndimet dhe tërheqjet e disa futbollistëve, por theksoi se besimi i tij mbetet i plotë te 27 lojtarët e grumbulluar.
“Na mungojnë disa futbollistë të rëndësishëm dhe me përvojë. Gjithashtu, Rexhbeçaj dhe Muslija nuk do të jenë në dispozicion për shkak të lëndimeve. Megjithatë, kemi 27 futbollistë tek të cilët kam besim të plotë dhe jam i bindur se me këtë grup mund të zhvillojmë ndeshje të mira”, u shpreh përzgjedhësi.
Foda theksoi se ditët në vijim do të jenë të rëndësishme për përcaktimin e formacionit dhe përgatitjen e skuadrës.
“Ky është futbolli: ka lëndime, ka largime, por në të njëjtën kohë krijohen edhe mundësi të reja për futbollistët e rinj. Tani është radha e tyre që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të tregojnë vlerat e tyre”, tha ai.
Një pjesë e konferencës iu kushtua edhe vendimeve të Amir Rrahmanit dhe Florent Hadërgjonajt për t’u tërhequr nga Kombëtarja.
Foda bëri të ditur se me Rrahmanin ka pasur kontakt dhe se është përpjekur ta bindë që ta ndryshojë vendimin, por në fund e ka respektuar zgjedhjen e tij.
“Rrahmani më ka kontaktuar dhe kemi biseduar. Kam tentuar t’ia ndryshoj mendimin, por ai e kishte marrë vendimin e tij dhe ne duhet ta respektojmë. E falënderoj për kontributin e tij dhe i uroj gjithë të mirat në vazhdim”, deklaroi Foda.
Sa i përket Hadërgjonajt, përzgjedhësi tha se për vendimin e tij ka mësuar përmes mediave.
“Hadërgjonaj nuk më ka kontaktuar personalisht dhe për vendimin e tij jam informuar përmes mediave. Sigurisht, edhe vendimin e tij duhet ta respektoj. Megjithatë, çdo futbollist që e ftoj në grumbullim e ka besimin tim të plotë. Çdo futbollist duhet ta kuptojë dhe ta pranojë se ftesa në Kombëtare i jep mundësinë për të qenë pjesë e ekipit, por nuk garanton aktivizimin në çdo ndeshje. Vendimet se kush luan merren gjithmonë në interes të skuadrës”, tha Foda.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.