Ekonomia

Ndryshon ligji për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore

Qeveria ka dërguar në Kuvend për shqyrtim e miratim një ndryshim në ligjin “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”. Qëllimi i hartimit të këtij projektligji është sigurimi i pavarësisë së operatorëve që realizojnë veprimtarinë në sektorin e energjisë elektrike.

Një prej masave që siguron pavarësinë e këtyre operatorëve është ndarja (unbundling) nga pikëpamja ligjore dhe funksionale e veprimtarive të prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike. Përveç këtyre ndarja e këtyre veprimtarive nuk nënkupton edhe ndarjen e organeve që ushtrojnë kontroll mbi shoqëritë që ushtrojnë këto aktivitete, sikurse është organi i Këshillit Mbikëqyrës dhe Asambleja e Aksionarëve. Bazuar në ligjin, “Për sektorin e energjisë elektrike”, ndarja e veprimtarive dhe e kontrollit të këtyre shoqërive përbën një prej kërkesave thelbësore paraprake për fillimin e procedurave të çertifikimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

“Konkretisht, në bazë të nenit 53, të këtij ligji, përcaktohet se Operatori i Sistemit të Transmetimit duhet të jetë i pavarur nga aktivitetet e prodhimit apo furnizimi dhe, për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave ngarkohet për përcaktimin e autoritetit publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, citohet relacioni i p/ligjit.

Ligji përcakton detyrimin që, në të njëjtën kohë, një person nuk mund te ushtroje kontroll mbi një të licencuar, që kryen ndonjë nga veprimtaritë e prodhimit apo furnizimit të energjisë elektrike dhe të ushtrojë kontroll ose ndonjë të drejtë tjetër ndaj Operatorit të Sistemit të Transmetimit ose rrjetit të transmetimit. Në kushtet kur shoqëria KESH, sh.a, që është i licencuar për prodhimin dhe shoqëria OST, sh.a, që kryen funksionin e transmetimit, kontrollohen nga i njëjti aksionar, që përfaqësohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, del si nevojë urgjente që jo vetëm të ristrukturohen këshillat respektivë mbikëqyrës, por edhe të merren masa për të ndarë aksionarin përkatës, që do të përfaqësojë pronarin te secili i licencuar.

Sa më sipër, me anë të këtij projektligji propozohet të përfshihet një parashikim që, në rastet kur me ligj të veçantë parashikohet detyrimi i ndarjes së pronësisë ndërmjet shoqërive, aksionet e të cilave i përkasin shtetit, do të jetë Këshilli i Ministrave organi që mund të përcaktojë si përfaqësues të pronarit, për pronën shtetërore, edhe ministri të tjera, përveç ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
Ky parashikim është i zbatueshëm edhe për parashikimet e reja të ligjit “Për sektorin e gazit natyror”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button