Ekonomia

Në 2016, rritja ekonomike në vend rreth 3.5 %

Qeveria planifikon një rritje ekonomike prej rreth 3.5 %. Sipas burimeve nga ministria e Financave, ekonomia shqiptare gjatë vitit 2015 ka treguar shenja të qarta rigjallërimi dhe pritet që edhe në vitet në vijim të kete ritëm rritjeje pozitive.

“Ka filluar një rritje e ekonomisë shqiptare, e cila i ka të gjitha gjasat, kryesisht për shkak të reformave, që të vazhdojë të jetë vetëm në rritje dhe vetëm pozitive”, thanë burimet.

Sipas tyre, rritja ekonomike është mbështetur nga investimet, sidomos ato të huaja dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, shtimit të prodhimit vendas, shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe nga aktiviteti i shtuar në turizëm.

“Ne besojmë se këta faktorë do të vijojnë edhe në pjesën e mbetur të vitit dhe do të shtrojmë shtratin edhe për rritje ekonomike më të madhe në vitin 2016”, deklaroi të martën ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në konferencën e përbashkët për shtyp me misionin e FMN-së në Tiranë.

Viti 2016, veç faktorëve pozitivë të vitit 2015, pritet të mbështetet kryesisht edhe nga kërkesa e brendshme e shtuar, si dhe një nga ecuri më e mirë e kreditimit që nuk ka arritur ende ato parametra të dëshiruara nga qeveria apo Banka Qendore.

Në mbështetje të rritjes ekonomike në vitin që vjen do të jenë edhe investimet e planifikuara, siç janë HEC-i Devoll, TAP-i, Skavica, Parku Industrial, apo dhe resorte turistike, të cilat do ta furnizojnë ekonominë shqiptare, me investime të huaja të drejtpërdrejta dhe sigurisht duke influencuar dhe kërkesën. Nga ana tjetër, burime të ministrisë së Financave thonë se reformat strukturore kanë qenë një platformë e sigurt për garantimin e rritjes ekonomike. “Reforma në energji apo edhe ajo që nisëm së fundmi, operacioni kundër informalitetit, kanë impakt të drejtpërdrejtë”, thanë burimet.

Edhe shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila vizitoi Shqipërinë gjatë periudhës 28 tetor-10 nëntor 2015, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e pestë dhe të gjashtë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF) për Shqipërinë, vlerësoi se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin që vjen do të jetë 3- 3.5 %.

Në një konferencë për shtyp që zhvilloi të martën e kësaj jave, Anita Tuladhar, tha se “rimëkëmbja ekonomike pritet të vazhdojë, me normë të rritjes së PBB-së që pritet të arrijë 2.7 për qind në vitin 2015 dhe më shumë se 3–3,5 për qind në vitin 2016. Rritja ekonomike do të nxitet nga vazhdimi i investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe rritja e kërkesës së brendshme, e mbështetur me një rritje graduale të huadhënies bankare. Inflacioni pritet të mbetet i ulët, në rreth 2 për qind, pjesërisht për shkak të trysnive globalisht të ulëta të çmimeve dhe të prodhimit që vazhdon të jetë nën potencial”, tha Tuladhar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button