Në Meksikë, vajzat duhet të jenë të bukura që të bëhen police
Një konkurrim, ku kusht kryesor është paraqitja e jashtme, i zemëroi vajzat të cilat u ankuan në komisionin për të drejtat e njeriut të shtetit. “Ne jemi trajnuar për t’u bërë punonjëse policie dhe jo miss-e”, ishte reagimi i tyre
Një numër shumë i madh kadetësh u kontrolluan me imtësi gjatë procesit të përzgjedhjes për krijimin e një njësie të re policie në qytetin Querétaro, në periferi të Meksikës. Por, nëse për djemtë selektimi ishte më i thjeshtë, pasi ata u punësuan falë aftësive fizike, vajzat përveç kësaj, që të pranoheshin, duhet që të kishin një kriter me rëndësi: të ishin të bukura. Madje komisioni më shumë i dha rëndësi paraqitjes së jashtme të aplikueseve të reja, se sa forcës dhe rezistencës së tyre.
Një konkurrim i tillë i zemëroi vajzat, të cilat u ankuan në komisionin për të drejtat e njeriut të shtetit. “Ne jemi trajnuar për t’u bërë punonjëse policie dhe jo miss-e”, ishte reagimi i tyre. Kjo çështje po ndiqet nga avokatja Maricruz Ocampo, që bën pjesë në organizatën e mbrojtjes të “Coincidir Mujeres”. Por policia e Queretaros reagoi e tha se nuk ishte në plan të tyre që të krijonin një njësi të përbërë vetëm nga femrat.
Por organizata vendase këmbënguli në këtë çështje dhe në faqen e saj në Facebook, publikoi të tjera dëshmi të vajzave, të cilat shfaqën indinjatën e tyre për këtë mënyrë përzgjedhjeje. Ato treguan se komisioni i vëzhgoi me imtësi si trupat, ashtu edhe fytyrat e tyre dhe përzgjodhën më të bukurat. Madje një vajzë, e cila kishte qenë shtatzënë dhe kishte humbur fëmijën e vet, mori përgjigje negative, pasi sipas komisionerëve, ajo kishte shumë bark.
Kjo nuk është hera e parë që lajmi për një polici seksi ka mbushur faqet e gazetave të Meksikës.
Shefi i policisë së Querétaro-s, Hidalgo Eddy, ka nxjerrë në terren një njësi të gjithën të përbërë nga femrat, në shtetin e Aguascalientes, kur ai kishte detyrën e drejtorit të policisë atje.
Këto oficere, të cilat dilnin në patrullim me taka, pantallona të ngushta dhe bënin makijazh të rëndë, më së shumti punonin për çështje sociale. Por paraqitja dhe puna e tyre nuk i shpëtoi as Presidentit të vendit, Enrique Peña Nieto, i cili zhvilloi një tur në këtë shtet në vitin 2013 dhe madje ato dolën në fotografi me kreun e shtetit.
Njësia me 20 punonjëse të policisë u reformua vitin e kaluar. Uniformat e tyre u riqepën me qëllim për të qenë më praktike në punë dhe më të rehatshme.
Por kjo tendencë e re po përdoret në një tjetër mënyrë. Kështu, në përpjekje për të rritur turizmin, zyrtarët në Acapulco kanë nxjerrë në terren një njësi policie që kujdeset vetëm për turistët, që mbajnë veshur këmisha dhe jelekë të ngjitur pas trupit dhe buzëkuq të shndritshëm.
Këto punonjëse policie më së shumti janë duke mbaruar universitetin. Por, sipas shefit të sigurimit publik të Acapulco-s, Manuel Flores, u vendos që të veprohej në këtë mënyrë, sepse vajzat dinë që të sillen më mirë me njerëzit se sa meshkujt. “Ka më pak të ngjarë për gratë që të kërkojnë ryshfete. Kjo gjë është provuar shkencërisht”, tha Flores-i.
Deri tani, njësia ka funksionuar shumë mirë dhe vajzat kanë marrë vlerësim për punën e tyre. Në zonat e tjera turistike meksikane, autoritetet po e shikojnë me kujdes këtë projekt dhe nëse rezultatet do të vazhdojnë që të jenë të kënaqshme, ata gjithashtu do të nisin që ta aplikojnë këtë gjë.
Shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut janë të shqetësuara nga kjo mënyrë e të përzgjedhurit, ku në fillim një punonjës policie vlerësohet nga bukuria dhe pastaj nga aftësia që ka për të menaxhuar një situatë të rrezikshme. Sipas kritikëve, kriteret e reja nuk i japin mundësinë njerëzve më të aftë të kryejnë një punë, që ka një rëndësi e vlerë të madhe për shoqërinë meksikane.
Në qytet ka një kontrast të madh kur bëhet fjalë për patrullimin nga ana e policisë. Nga njëra anë, situata tensionohet kur në rrugë shfaqet policia federale që patrullon qytetin me kapuç të zinj dhe të armatosur gjer në dhëmbë. Nga ana tjetër, vajzat të cilat vazhdojnë kolegjin dhe bien në sy për paraqitjen e tyre, u ofrojnë kalimtarëve qetësi dhe u marrin shumë shikime. Qëllimi i vendit është që të largojnë imazhin negativ që Acapulco ka në botë. Më parë, ky qytet ka qenë destinacioni numër 1 i studentëve amerikanë dhe meksikanë që e zgjidhnin për festat e çmendura të “spring break”, por tani ai është kthyer në kryeqytetin numër 1 të vrasjeve. Dhe ndërsa policia federale është duke luftuar bandat e drogës, njësia e oficereve bukuroshe të policisë do të merret me kujdesin ndaj turistëve. Këtë filozofi po mendojnë që ta aplikojnë edhe shtetet e tjera të republikës federale meksikane.