Në një kohë kur të gjithë ndërtojnë mure, është ironike dhe e bukur të shikosh Ballkanin duke ndërtuar ura
MADRID – Teksa në Evropë hyn vjeshta, është koha për të vjelë frytet e muajve të tërë punë diplomaike, nëpër Gadishullin e Ballkanit. Në 30 shtator, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) do të mbajë një referendum këshillues, që mund të çojë vendin drejt ndryshimit të emrit në “Republika e Maqedonisë Veriore”.
Ky nuk është thjesht një ushtrim gjuhësor. Nëse referendumi kalon, ai mund t’i japë fund 27 viteve grindje mes qeverive maqedonase dhe greke. Greqia kundërshton me vendosmëri përdorimin prej fqinjit të emrit “Maqedonia” pa një cilësor, për arsye se një rajon në Greqi mban të njëjtin emër. Veç kësaj, mbretëria e lashtë e Maqedonisë ka një domethënie të madhe kulturore dhe historike për grekët e sotëm.
Nëse një pjesë e madhe e elektoratit maqedonas del dhe voton në mbështetje të ndryshimit të emrit dhe çështjeve që lidhen me të, ka më shumë gjasa që amendimet e kërkuara kushtetuese të miratohen në parlamentin maqedonas, i cili gjithashtu duhet të votojë për ndryshimin.
Për shkak të mosmarrëveshjeve mbi emrin, Greqia ka bllokuar anëtarësimin e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë në BE dhe NATO. Por, tre muaj më parë, qeveritë maqedonase dhe greke më në fund arritën një marrëveshje për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe. Pasojat e dakordësisë së tyre janë të dukshme edhe në formulimin e pyetjes së referendumit maqedonas: “A e mbështesni anëtarësimin në BE dhe në NATO, duek pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”
Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, dhe Mattheë Nimetz, i dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, luajtën role kyçe në sigurimin e suksesit të negociatave. Nimetz, që kish filluar të punonte për këtë çështje në vitin 1994, ka paralajmëruar se yjet diplomatike nuk do të reshtohen më në mënyrë kaq të favorshme, në një kohë të afërt.
Në një kohë kur nacionalizmi po ringre krye, “Marrëveshja e Prespës” – që ka marrë emrin e liqenit që ndajnë Greqia, FYROM dhe Shqipëria – është një frymëmarrje me ajër të pastër. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras kanë shfaqur vendosmëri të spikatur dhe lidership të përgjegjshëm për ta përmbyllur marrëveshjen. Të dyve u është dashur të shpenzojnë goxha kapital politik, duke u përballur me forcat e brendshme nacionaliste si dhe mocione mosbesimi të nxitur prej partive opozitare.
Marrëveshja e Prespës ofron një model të mirë për të adresuar mosmarrëveshjet edhe tjetërkund, për shkak se ajo përmban një qasje holistike të zgjidhjes së konfliktit, me premtimin për përfitime të ndërsjella afatgjata. Për shembull, një prej neneve të saj thotë se “Në epokën e revolucionit të ri industrial… thellimi i bashkëpunimit mes shteteve dhe shoqërive është i domosdoshëm, sot më shumë se kurrë, veçanërisht sa u përket aktiviteteve sociale, teknologjive dhe kulturës”.
Kjo deklaratë, e bërë prej palëve që prej kohësh kanë qenë në grindje mes tyre, është frymëzim për një rajon që mbetet i ngërthyer në mosmarrëveshje të kahershme etnike dhe identitetesh kombëtare. Ballkani – dhe jo vetëm Ballkani – ka nevojë për një narrativë të re, bazuar në prioritetet reale të njerëzve, gjë që është ekzaktësisht ajo që ofron Marrëveshja e Prespës.
Në rajon ka edhe një tjetër mosmarrëveshje, e cila shumë shpejt mund të nxehet aq shumë sa të shkojë drejt një zgjidhjeje. Në vitin 2011, BE inicioi një dialog mes Serbisë dhe Kosovës, i cili që atëherë ka prodhuar benefite domethënëse sa i përket lirisë së lëvizjes, tregtisë, mundësive ekonomike, sigurisë, drejtësisë, ndërlidhjes dhe shumë të tjera.
Pavarësisht këtij normalizimi gradual të marrëdhënieve dypalëshe, mosmarrëveshja themelore mes dy shteteve mbetet e pazgjidhur. Të dyja palët janë të vetëdijshme se status quo-ja ka një kosto të lartë, për shkak se pengon përpjekjet e tyre për anëtarësim në BE dhe vendos një barrë të papërballueshme për ekonomitë respektive.
Duke punuar me Mogherinin, Presidenti Aleksandar Vučić i Serbisë dhe Presidenti Hashim Thaçi i Kosovës kanë përshpejtuar negociatat e tyre gjatë muajve të fundit, me synim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse. Sigurisht, nuk është prerogativë e BE të diktojë kushtet e zgjidhjes së konfliktit, dhe është e qartë se merita për cilëndo marrëveshje që do të dalë nga procesi do të jetë lokale.
Në këtë fazë të dialogut, është thelbësore që të mbizotërojë maturia dhe moderimi. Trashëgimitë e Vučić dhe Thaçit do të varen kryesisht nga gatishmëria e tyre për të formuluar një propozim realist, i cili harmonizohet me vlerat themelore të BE. Të dy udhëheqësit kanë një shans për të shmangur pozicionet maksimaliste dhe të ndjekin shembullin e qeverive të Greqisë dhe Maqedonisë.
Më pak premtuese është situata në Bosnje dhe Hercegovinë, ku në 7 tetor do të mbahen zgjedhje të përgjithshme, pavarësisht se vendi nuk ka aktualisht një ligj elektoral. Pasi ka ngecur në një moçal territorial dhe administrativ pre fundit të luftës në 1995, Bosnje dhe Hercegovina është një vend tejet i vështirë për t’u qeverisur. Etnocentrizmi vijon ta dominojë politikën e tij, dhe gara elektorale aktuale nuk bën përjashtim.
Për t’i ndërlikuar më tej çështjet, politikani secesionist Milorad Dodik, i cili sapo mbylli mandatin si president i Republika Srpska ka marrë vendimin trazues, që të kandidojë për presidencën tripalëshe të vendit. Le të shpresojmë që fryma më konstruktive që po mbizotëron në pjesën tjetër të rajonit, të përfshijë edhe Bosnje dhe Hercegovinën, dhe që nismat ndëretnike të marrin vrull, siç e ka kërkuar prej një kohe të gjatë shoqëria civile boshnjake.
Nuk ka dyshim se dekadat e fundit kanë sjellë më shumë zhgënjim se sa progres në Ballkan. Por nëse Marëveshja e Prespës tregon diçka, ajo është se asnjë konflikt nuk është i pazgjidhshëm, atje ku kreativiteti diplomatik dhe politik bëhen bashkë. Nëse javët e ardhshme përfundojnë mirë, një rajon i goditur prej nacionalizmit në fundin e shekullit të kaluar, mund të sfidojë prirjen aktuale globale drejt shovinizmit. Në një kohë kur kaq shumë vende duket se synojnë të ndërtojnë mure, do të ishte ironike dhe një kënaqësi e madhe të shihje Ballkanin të ndërtojë ura.