Në Norvegji, studime në universitetin më verior të botës
Në Spitzbergen të Norvegjisë, shumë të huaj e vendas e kanë ndarë mendjen të çojnë përpara njohuritë e tyre e të zhvillojnë kërkime shkencore, ndërkohë që përjetojnë eksperiencat më të rralla në jetë
Biçikletat para ndërtesës ngjyrë kafe të universitetit nuk janë siguruar me kyç. E çfarë do t’i duhej një hajduti biçikletash të merrej me to – në një ishull që, sigurisht, nga sipërfaqja është më i madh sesa Belgjika, porse nuk ka as 50 km rrugë të shtruar me asfalt dhe ku thuajse të gjithë banorët e njohin njëri-tjetrin më së miri?
Jo vetëm biçikletat e pasiguruara para portës së madhe të Qendrës Universitare në Svalbard (UNIS), por para së gjithash, pozicioni ku ndodhet është tepër i veçantë: ajo shtrihet mbi sipërfaqen e ftohtë të Longeyearbyen, kryeqendra e Spitzbergen me rreth 1800 banorë. Ai ndodhet saktësisht në 78 gradë gjerësi veriore, e pikërisht 1100 kilometra e ndajnë ishullin kryesor të arkipelagut arktik të Svalbardit nga Poli i Veriut.
Laboratorët natyrorë
Kush studion këtu duhet të jetë i dashuruar me akullin. Ka edhe të huaj, ndër ta edhe francezë e gjermanë, që ushtrojnë në këtë mënyrë edhe pasionin e tyre për të studiuar, për shembull, gjeofizikë e biologji, në një mënyrë krejt të veçantë. Janë 22 e 23-vjeçarë. Për disa të tjerë, më të mëdhenj, aventura tashmë po përfundon.
Rreth 90 studentë numëron UNIS. Ata të gjithë përfitojnë nga rrethanat e veçanta e të jashtëzakonshme të studimit e kërkimit shkencor në terren: kush studion sidomos biologji arktike, gjeofizikë apo teknikë në Spitzbergen, laboratorët e terrenet e kërkimit i ka “para derës së shtëpisë”, në një zonë përrallore me shkëmbinj, akull, borë, fjorde e ngjyra.
Për këtë qëllim, pajisjet e ekspeditave gjenden në magazinat apo qilarët e universitetit. Në një sipërfaqe të madhe me dollapë gjenden ato çfarë janë të domosdoshme, që nga dyshekët antiborë arktikë, te kostumet mbrojtëse, me të cilat besohet se mund t’u rezistosh, deri në 48 orë ujë të ftohtë të deteve të Veriut.
Një në çdo dy studentë vijnë nga jashtë
Për të marrë një të drejtë studimi në Spitzbergen, ka qenë më se e thjeshtë, thonë gjermanët Hattermann dhe Röhrs. Vështirësia e vetme: thuajse nuk dinim gjë fare për ekzistencën e një universiteti në skajin më verior të botës. “Që kam ardhur këtu, ishte një rastësi”, thotë Röhrs. Vetëm nëpërmjet atyre që kishim dëgjuar me gojë nga shokë e miq, arritëm të informohemi në detaj pastaj. Edhe për Hattermann, thuajse ndodhi po e njëjta gjë: një i panjohur i tha atij për mundësinë e të shkuarit në Arktik – “dhe dy javë më vonë, unë u regjistrova”.
Të huajt këtu shihen me sy të mirë. “Një në çdo dy veta është i tillë. Ata nuk vijnë nga Norvegjia, por nga jashtë saj”, thotë rektori i universitetit, Gunnar Sand, plot krenari. Pas dritareve panoramike të sallave të leksioneve shihet të kërcejë lart uji i fjordeve mitike. Përballë shihen malet e zhveshura, në ngjyrë të kuqërremtë në gri të zonës së Hiorthfjellet, që duket sikur takohen me retë.
Kosto të mëdha për qeverinë
Mbajtja e kësaj shkolle, për qeverinë norvegjeze është një ndërmarrje shumë e kushtueshme, thotë Sand: të gjitha pajisjet e furnizimet duhet të mbërrijnë këtu nga thellësia e vendit, nga jugu, e mësuesit të vijnë me avionë.
Shtëpia e tij, na thotë rektori, duke pasur parasysh universitetin, “ka padyshim studentët më të subvencionuar në botë”. Vetëm ndërtimi i një ndërtese të tillë në një largësi, ku fare mirë mund të jetonin UFO-t, ka kushtuar shumë para e djersë. Është ngritur mbi 400 shtylla hekuri, të ngulura thellë deri në 12 metra në tokë – përndryshe do të na ndodhte që toka e ashpër dhe e ftohtë të ndikohej nga nxehtësia e ndërtesës së universitetit, e të niste dalëngadalë të zhytej.
Mbi ishull, të drejta jo vetëm Norvegjia
Norvegjia është e vetmja që gëzon luksin e një universiteti arktik, për të pasur në këtë mënyrë e para pretendimin të ketë të drejta të plota mbi ishullin e Svalbardit. Po, sepse nëse s’e dinit, ky grup ishujsh, sipas një marrëveshje të viteve ’20, ndodhet sigurisht nën administrimin e qeverisë norvegjeze, por edhe të rreth 40 kombeve të tjera, që kanë kësisoj të drejta të vjelin e të shfrytëzojnë burimet natyrore të ishullit. Por, nëse një ditë, kjo garë do të shpërthente me hov, pra për të marrë sa më shumë rezerva nafte nga Arktiku, Norvegjia dëshiron të ndodhet me distancë, e para.
“Ne po formojmë ekspertët e së ardhmes”, thotë më tej rektori Sand. Në mënyrë që Norvegjia të mos investojë vetëm në formimin e të huajve më kot, siç mund të mendojë ndokush, për këtë synim janë përcaktuar kuota të qarta: kështu që përqindja e të huajve në UNIS, nuk duhet ta kalojë 50 përqindëshin. Në BE, një kufizim i tillë nuk do të lejohej, por këtu në Norvegji, kjo gjë nuk përbën ndonjë problem.
Udhëtime me anije e hidroplan
Hattermann dhe Röhrs janë të mahnitur nga kushtet në të cilat studiojnë në Longyearbyen. Ata thonë se ka një staf të mirë pedagogësh të pasionuar dhe një jetë më pranë natyrës, ku një pjesë të madhe e përbën bashkëjetesa me drurin. Por, më e mira, vetëkuptohet, janë ekskursionet në pafundësinë e Arktikut, që ndodhet direkt para derës së shtëpisë. Ai duket tejet i ngazëllyer, ndërsa na raporton për udhëtime e ekspedita me anije e hidroplan dhe madje edhe për startin e raketave të meteorologjisë, të ndërtuara me duart e tyre.
Kujdes nga arinjtë
Jashtë kufijve të jashtëm të Longyearbyen, studentët duhet të jenë megjithatë shumë të kujdesshëm. Të rrezikshëm para së gjithash janë arinjtë polarë, nga të cilët në Spitzbergen jetojnë me mijëra. Pasi kafshët, përveç kafshëve, sigurisht, nuk e kanë për gjë të sulmojnë edhe njerëzit. Kështu që shkencëtarët e rinj duhet të mbajnë me vete armë për vetëmbrojtje. Që të mos ketë probleme në ndërtesën e universitetit, armët gjatë kursit mbahen të mbyllura në qilar.
Çmime të larta për ushqimet
Arinjtë polarë nuk janë të vetmet probleme. Kështu, për shembull, edhe çmimet e larta të ushqimeve janë një problem më vete. Hattermann dhe Röhrs i luftojnë ato ndër të tjera edhe me shkuarjen në supermarketin “Svalbardbitikken”, që është e vetmja e tillë në ishull, e që ndodhet pakëz larg universitetit. Atje shkojnë ata dhe blejnë ushqime, që shpesh ndodhen në prag të datës së skadencës. E vetëm kështu mund të arrish të kursesh ca korona, apo jo?, të thonë ata.
Sfida e netëve polare
Por sfida më e madhe janë netët polare, që këto ditë afrohen shumë shpejt, duke kërcënuar seriozisht. Pikërisht më 28 tetor nis më pas koha e muajve të gjatë me errësirë totale. “Nuk mund të dallosh dot praktikisht ditën nga nata”, thotë Hattermann. Në komunitetin tonë, megjithatë, errësira arktike nuk është ndonjë problem aq i madh sa ç’duket: Tore Hattermann thotë se shpirti i solidaritetit e humanizmi i banorëve të ishullit fillon të rrahë fort pikërisht gjatë netëve polare. Njerëzit rrinë shumë brenda në shtëpi, gatuajnë e zbaviten me miq, luajnë shumë lojëra. “Unë mendova se koha në errësirë të ndjell një vetmi të plotë”, thotë Hattermann. “Por ndodhi pikërisht e kundërta”.
Marrë nga Geo-Magazine