Në POSP, eurodeputetja Glavak: Mali i Zi duhet t’i mbyllë çështjet e dhimbshme të së kaluarës me të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë
Në seancën e Komitetit Parlamentar BE–Mali i Zi për Stabilizim dhe Asociim në Podgoricë, eurodeputetët vlerësuan shpejtësinë e reformave malazeze, ndërsa ministrja Maida Gorçeviq tha se negociatat e anëtarësimit mund të mbyllen deri në fund të vitit
Komiteti Parlamentar i Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi për Stabilizim dhe Asociim (POSP) mbajti në Podgoricë seancën e tij të 26-të, ku në qendër të debatit ishin negociatat e anëtarësimit, sundimi i ligjit dhe çështjet e hapura me Kroacinë. Eurodeputetja kroate Sunçana Glavak theksoi, siç njofton ETV, se rruga evropiane e Malit të Zi nuk duhet të jetë vetëm mbyllje kapitujsh, por edhe mbyllje e çështjeve të dhimbshme të së kaluarës me të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë. “Këtë ua detyrohemi të gjitha viktimave dhe brezave të ardhshëm”, tha ajo.
Sipas raportimit të ETV-së, Glavak renditi si çështje ende të hapura pavarësinë e gjyqësorit, ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe procedurat e gjata gjyqësore, ndërsa e quajti të papranueshëm lavdërimin e kriminelëve të dënuar të luftës, duke iu referuar ngushëllimeve të kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq me rastin e vdekjes së Ratko Mlladiqit. Ajo përshëndeti vendimet e Qeverisë për ndryshimin e emrit të pishinës së qytetit në Kotorr dhe për miratimin e mëvonshëm të pllakës përkujtimore në Morinj.
Kryesuesi i delegacionit malazez, Dejan Gjuroviq, iu përgjigj me fjalën e urtë “ujku qimen e ndërron, por zakonin jo”, ndërsa deputetja Jelena Bozhoviq tha se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nuk ndërtohen me shantazhe dhe kushte të njëanshme dhe se çështjet e hapura duhen zgjidhur me dialog, jo me presione.
Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tomas Vajc, tha se kanë mbetur “disa centimetra” deri në finale dhe se së shpejti do të nisë hartimi i draftit të marrëveshjes së anëtarësimit. Ai prezantoi edhe modalitetin e ri që do t’i lejonte Malit të Zi të dërgojë deputetë në Parlamentin Evropian edhe përpara përfundimit të ratifikimit, por pa të drejtë vote.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, shprehu bindjen e fortë se Mali i Zi mund t’i mbyllë negociatat deri në fund të vitit, në mënyrë që në vitin 2028 të bëhet anëtari i 28-të i BE-së. Ajo kujtoi se numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht është rritur nga 14 në 21, prej gjithsej 33 kapitujve negociues.
Ambasadori i BE-së në Podgoricë, Johan Satler, paralajmëroi konferenca të tjera ndërqeveritare deri në fund të vitit me synimin që të mbyllen të gjithë kapitujt, ndërsa raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, e quajti fazën përfundimtare “çështje jete a vdekjeje” dhe kërkoi që vendi të mbledhë të gjitha forcat për ta përfunduar procesin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.