MALI I ZI MUND TË MARRË PJESË NË ZGJEDHJET EVROPIANE PARA ANËTARËSIMIT TË PLOTË
Foto: Risto Bozović
Mali i Zi mund të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane dhe të dërgojë përfaqësues në Parlamentin Evropian edhe para përfundimit të ratifikimit të marrëveshjes së anëtarësimit. Këtë e bëri të ditur eurodeputeti austriak Tomas Vajc, duke vlerësuar përparimin e vendit në procesin e integrimit evropian.
Në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Mali i Zi, Dejan Gjuroviq theksoi se vendi po hyn në një fazë vendimtare, e cila kërkon vazhdimësi të reformave dhe përgjegjësi institucionale. Ai vlerësoi përparimin në kapitujt 23 dhe 24, si dhe në Kapitullin 27, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike, duke theksuar se Mali i Zi ka krijuar kushte reale për përfundimin e negociatave.
Ndërkaq, Vajc përgëzoi deputetët e pushtetit dhe opozitës për bashkëpunimin në miratimin e reformave dhe ligjeve të rëndësishme.
Ai njoftoi se eurodeputetët do të angazhohen për nënshkrimin sa më të shpejtë të marrëveshjes së anëtarësimit dhe për përshpejtimin e ratifikimit të saj.
Sipas Vajcit, një mekanizëm i ri, nëse miratohet, mund t’i mundësojë Malit të Zi të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane dhe të dërgojë deputetë në Parlamentin Evropian para anëtarësimit të plotë.
Ata mund të marrin pjesë në punimet parlamentare dhe të mbajnë fjalime, por e drejta e votës mund të mbetet e rezervuar për vendet anëtare.
Mali i Zi synon të bëhet anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian në vitin 2028, ndërsa përmbushja e reformave mbetet vendimtare për realizimin e këtij objektivi.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.