MILLATOVIQ: MARRËDHËNIE TË MIRA ME KROACINË, POR JO NË KURRIZ TË DINJITETIT SHTETËROR
Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se vendi synon marrëdhëniet më të mira të mundshme me Kroacinë, por pa cenuar interesat kombëtare dhe dinjitetin shtetëror.
Duke folur në Herceg Novi, me rastin e Ditës së Komunës, Millatoviq theksoi se përgjegjësia për negociatat mbi çështjet e hapura me Kroacinë i takon Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ai shprehu shpresën se negociatat do të zhvillohen duke mbrojtur interesat e Malit të Zi, duke kritikuar njëkohësisht disa deklarata nga pala kroate, të cilat, sipas tij, nuk kontribuojnë në marrëdhënie të mira ndërmjet dy vendeve.
Millatoviq theksoi se çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë integrimin evropian të Malit të Zi, duke shprehur pritshmërinë që marrëveshja e anëtarësimit në BE të nënshkruhet në pranverë ose verë të vitit të ardhshëm.
Ai përmendi gjithashtu çështjen e pllakës përkujtimore në Morinj, duke vlerësuar se institucionet malazeze kanë legalizuar në mënyrë të tërthortë një veprim të paligjshëm.
Sa i përket demarkacionit, presidenti nënvizoi se kufiri detar është i lidhur ngushtë me atë tokësor dhe paralajmëroi se Mali i Zi nuk duhet të bëjë lëshime që mund të dobësojnë pozicionin e tij negociues.
“Mali i Zi dëshiron marrëdhëniet më të mira me të gjithë, por ka interesat e veta shtetërore dhe dinjitetin e tij”, deklaroi Millatoviq, duke shtuar se vendi nuk duhet të përdoret për realizimin e interesave të politikës së jashtme të shteteve të tjera.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe turistik ndërmjet Gjirit së Kotorrit dhe rajonit të Dubrovnikut, duke vlerësuar se këto fusha duhet të jenë baza e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe Kroacisë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.